Smiras që jetojnë në Shkup janë bashkuar  në Takimin  IV tradicional, në Shkup, të organizuar nga Shoqata ‘Smira Dardane’ dhe kanë shënuar njëkohësisht trevjetorin e themelimit të kësaj shoqate.

Kryetari Zijadin Sylejmani ka thënë se shoqata për tri vjet të funksionimit ka organizuar aktivitete e ngjarje të ndryshme me qëllim që të forcojë lidhjet midis smirasve.  ‘Takimi me moton ‘Vendlindja na bashkon’, ka për qëllim  afësinë midis smirasve. Smirasit janë të organizuar dhe të lidhur kudo ku gjenden. Solidariteti dhe humaniteti i tyre janë vlera të trashëguara nga të parët tanë, të cilat duhet t`i ruajmë edhe në të ardhmen’, ka thënë Sylejmani.

Afrim Salihu nga Këshilli i Fshatit Smirë i ka njoftua të pranishmit me projektet aktuale që po realizohen në fshat.

‘Vitin e kaluar kemi aplikuar në Fondacionin Kosovë-Luksemburg  për një projekt për renovimin e shkollës që po ndodh tani. Projekti  në vlerë 96 mijë euro është mbështetur edhe nga Komuna e Vitisë me mbi 40 % të mjeteve.  Poashtu falë kontakteve të prof. Arben Mehmetit kemi lidhur bashkëpunim me fshatin Klanselheim të komunës Kirchhain në Gjermani dhe në fillim të vitit priten projekte të përbashkëta. Ndërkohë në Smirë po vazhdon ndërtimi i shtëpive për familjen në nevojë’, ka thënë Salihu.

Smirasi Bektesh Bekteshi i cili aktualisht jeton në Londër i ka përshëndetur të pranishmit. Ai ka thënë se ani që jeton larg, është i njoftuar me punën dhe organizimet që i bëjnë smirasit, sepse vazhdimisht interesohet për vendin dhe njerëzit e tij.

Drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ‘Dëshmorët e 5 Prillit’,  Xhavit Sahiti e ka falënderuar  Zijadin Sylejmanin dhe familjen e tij si dhe të tjerët që kanë ndihmuar shkollën gjatë këtij viti.

Organizatori bëri edhe një lojë shpërlbyese me 19 shpërblime. Për pjesëmarrësit u shtruar edhe darkë, kurse ata argëtuan grupi V2 dhe  Nazmi Hajdari,  Lumni Tërshana, Rexhep Jashari, Ismet Zejnullahu, Enes Seferi, Agron Ukëzmajli, Minhat Rexhepi.

Në fund u tha se tradita e organizimit të takimeve dhe e forcimit të lidhjeve midis smirasve kudo që janë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

 

Leave A Reply