Rreth 40 smiras që jetojnë në Shkup e rrethinë, në një ekskursion të organizuar nga Shoqata ‘Smira Dardane’, ka vizituar disa vende historike dhe turistike në Kosovë. Grupi fillimisht është ndalur tek varri i komandantit supreme të forcave të armatosura të Lëvizjes për Clirim dhe Bashkim Kombëtar, Shaban Polluzha, e pastaj ka vazhduar për në Prekaz tek Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’, në Prekaz.
Kryetari i shoqatës ‘Smira Dardane’, Zijadin Sylejmani, i cili poi printe vizitës, ka thënë se me këtë ka dashur që t`ju mundësojë smirasve që jetojnë në Shkup të njihen më për së afërmi me vlerat historike e kombëtare të vendeve të caktuara në Kosovë. ‘Është mirë që kemi arritur ta organizojmë këtë vizitë në vende të rëndësishme sic është Prekazi legjendar. U vërejt se ka pasur nevojë për këtë, pasi që të pranishmit u emocionuan duke dëgjuar historinë e Jasharajve dhe duke parë se ku kanë jetuar dhe luftuar anëtarët e kësaj familje’, ka thënë Sylejmani. Ai ka premtuar se vizita të tilla do të ketë edhe në të ardhmen edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
Juristi Isni Bajrami është shprehur i entuziazmuar dhe me vizitën në Prekaz. ‘Sikur besimtarët që vizitojnë Mekën, të gjithë shqiptarët dutet ta vizitojnë Prekazin. Të sakrifikosh jetën tënde për atdhe është më lehtë, por të flijosh gjithë familjen, është gjë e pakapshme për mendjen e njeriut, por njëkohësisht është mesazh i fortë edhe për armikun se ata kanë qenë në shtëpi dhe troje të tyre dhe nuk kanë një atdhe të dytë. Besoj se ky është një rast unik në botë dhe nuk ka ngajrë askund tjetër. Tash po e shoh nga afër se në cfarë pozite të pafavorshme kanë qenë Jasharajt karshi forcave serbe’, ka thënë Iseni.
Në mesin e smirasve nga Shkupi ishte edhe 81 vjecari Adem Ibrahimi, i cili tha se udhëtimi i gjatë nuk e lodhi fare, por përkundrazi ka kaluar një ditë të mirë dhe është kënaqur gjatë vizitës në Kosovë, sidomos që ka shkuar për herë të parë në Memorialin ‘Adem Jashari’, në Prekaz.
Edhe gjenerata e re e smirasve të Shkupit e ndien identitetin e vet dhe nuk i harron rrënjët e të parëve të tyre. Juristja Adriana Iseni, thotë se të gjithë në shkollë e kanë quajtur Adriana Smira. Kurse kusherira e saj Nazlija është edhe më aktive për të treguar se është smirase. Ajo në facebook ka faqen me emrin ‘Edhe un jam smirali’. Ato, sikurse edhe kusherirat e tyre Festina e Florentina thonë se kanë dëshirë të vijnë e të vizitojnë shpesh Smirën dhe Kosovën. Ato bile thonë se herën tjetër do të vijnë me dy autobusë.
Kryetari i Smirës, Afrim Salihu, i cili ishte pjesë e kësaj vizite e ka përgëzuar organizatorin për këtë interesim për vendet me rëndësi në Kosovë. ‘Kjo është praktikë e mirë që duhet të vazhdohet edhe më tutje në mënyrë që edhe smiras të tjerë të kenë mundësinë të njihen me vlerat tona’, ka thënë Salihu.
Kryetari i Shoqatës ‘Smira Dardane’, Zijadin Sylejmani njoftoi se takimi tradicional e smirasve në Shkup, do të mbahet më 31 tetor 2014, kurse detajet do t`i jap me kohë.
1 Koment
Shume bukur smira e shkupit ju lumte jemi NJË.