Rekordmeni nga Smira në zhonglim me top, Agim Agushi, jo që
nuk është duke u ndalur, por tash ka filluar edhe të vrapojë me top
në kokë. Ai para një jave, vendosi një rekord të ri, në Prizren, në
disiplinën Vrapim 1000 metra duke goditur topin me kokë. Ai këtë
distance, prej Urës së Gurit deri te Kuvendi Komunal, e kaloi për 4
minuta 52 sekonda e 79 të qindtat e sekondës. Kjo ngjarje u mbajt
nën patronatin e Komunës së Prizrenit. Agimi tha se e ka zgjedhur
këtë herë Prizrenin, sepse dëshiron që sa më shumë qytete shqiptare
të përfshihen në rekordet botërore.
Rekordi i tij i fundit u vendos në Gjakovë në disiplinën goditje e topit
me kokë, duke ecur prapa. Kurse rekordin e ardhshëm Agim Agushi
e ka paralajmëruar për 25 shtator, në Tetovë, duke goditur topin me
kokë në ecje mbi karrige.