Manifestimi tradicional që mbahet në Beguncë të Vitisë, për nder të “2 Korrikut” shpallja e deklaratës kushtetuese është përmbyllur mbrëmë pas një varg aktivitetesh sportive të zhvilluar me rastin e kësaj dite.Ndeshja finale në mes të Skynet-Beguncë dhe Albinoti-Begracë ka qenë aktiviteti përmbyllës i kësaj ngjarje ku Ekipi Skynet ka dalë triumfues i këtij turniri, pas ekzekutimit të penaltive me rezultat 3-2.
Ky turnir është mbajtur nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Këshillit të fshatit Beguncë. Ndërkaq të pranishëmve iu është drejtuar kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti i cili ka folur për vazhdimësinë e organizmit të kësaj ngjarje historike që për vite me radhë mbahet në Beguncë. Kurse ish-kryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës Ilaz Ramajli, është shprehur se ky Manifestim që mbahet në Viti, nderon Kosovën dhe popullin e saj dhe çmon veprën sublime të deputetëve që shpallen Deklaratën historike të Kushtetutës së Kosovës në atë kohë të para 24 vitesh .
Në këtë Manifestim që tuboi mijëra njerëz, të pranishëm ishin edhe ish- deputetë të Kuvendit të Kosovës pjesëmarrës të aktit historik të Shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të viti 1990. Gjithashtu në kuadër të këtij turniri janë zhvilluar edhe garat në futboll në kategorinë e femrave, juniorëve, veteranëve por edhe përfaqësuesve të komunës së Vitisë ku mori pjesë edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, ndërkohë janë zhvilluar edhe gara të organizuara nga banorët e Beguncës në gurapesh dhe vrapim. /vitalive/