Shkruan: ZIjadin Sylejmani

Shoqata “ SMIRA DARDANE “, së fundi ka bërë evidentimin e banorëve me prejardhje nga Smira që jetojnë në Shkup. Nga ky regjistrim del se në Shkup jetojnë 133 familje me 753 banorë me prejardhje nga Smira. Është për lavdatë, fakti se smirasit janë bërë faktorë dhe kanë mbaruar shkollime, por edhe bëjnë punë të respektuara. Kjo i bën ata ta mbajnë kokën lart. Në mesin e smirasve janë 46 studentë, të cilët së shpejti pritet të diplomojnë në fusha të ndryshme shkencore. Me fakultet të mbaruar janë evidentuar 79 persona, 11 Mr.shkence dhe 6 Dr.shkence. Kurse gjithsejt 144 smiras janë në marrëdhënie pune.

Duke pasur parasyshë profilet ku studiojnë smirasit por edhe ata që kanë mbaruar, shkollimin si në fushën e Mësuesisë, Gjuhës Shqipe, Angleze, Gjermane, Arabe, Fizikë, Biologji, Histori, Edukatë Fizike, Muzikë, Art Figurativ, poashtu edhe drejtimet Ekonomi, Drejtësi, Farmaci, Mjekësi, Bujqesi si edhe inxinierë e ushtarakë, smirasit i gjen të punësuar kudo dhe gjithkund, nëpër institucione shtetërore dhe kompani private. Pra nëpër shkolla fillore, të mesme, universitete, media, ministri, avokaturë, spitale, burgje, armatë dhe kudo tjetër.
Në Shkupin historik, dikur kryeqendër e Vilajetit të Kosovës, llogaritet se sot jetojnë mbi 200.000 shqiptarë, në mesin e të cilëve ka edhe shumë smiras të shperngulur në periudha të ndryshme si nga shkaqet politike poashtu edhe nga ato ekonomike e familjare.
Sipas shënimeve të fituara nga regjistrimi i bërë mësojmë se shpëngulja e parë është bërë në vitin 1945–e kjo ishte familja e Tushit Brahimit nga mahalla Alijaj. Pastaj shpërnguljet kanë vazhduar edhe gjatë kohës së Rankoviqit dhe aksionit të mbledhjes së armëve, kur janë bërë shpërnguljet masovike të smirasve po edhe të shumë shqiptarëve me qëllim të udhëtimit për në Turqi. Shpërngulja ka vazhduar deri në vitin 1993 kur është bërë shpërngulja e fundit e kjo ishte familja e Muhabi Goxhufit poashtu nga mahalla Alijaj.
Për evidentimin e banorëve, paraprakisht ishte themeluar Këshilli organizativ që do të kryente këtë punë: Zijadin Nazif Sylejmani dhe Vebi Shaip Sylejmani kishin për obligim të regjistrojnë ata që i përkasin mahallës Halilaj (Halilovit).
Naim Metush Fejzullahu dhe Idriz Hazir Beqiri regjistroi mahallën Alijaj (Aliqkovit). Arif Shukri Iseni dhe Gëzim Sabri Ahmeti kishte për detyrë të evidentojnë anëtarët e mahallës Cernaj (Cernovit).
Isni Rrahim Bajrami dhe Sabri Shukri Ramadani ishin të angazhuar për ata që i përkasin mahallës Rexhaj ( Rexhovit ).
Muhamet Adem Ibrahimi u angazhua që të bëj regjistrim në mahallën Zymeraj (Zymerovit) dhe
Hajriz Shaip Bekteshi regjistroi pjesëtaret e mahallës Kurtaj ( Kurtovit ).
Smirasit sot i gjen të shpërndarë në të gjitha lagjet e Shkupit, si në Bit Pazar, Jahja Pashë, Cair, Shkup Veri, Butel, Dizhon, Fushë Topane, Shuto Orizare, po edhe në periferi të qytetit si në Hasan Beg, Lisicë, Idrizovë ,Kondovë e Dracevë.
Ky është kontribut i madh i Shoqatës Smira Dardane, sepse përmes këtij regjistrimi të komunitetit smiras që jeton në Shkup, jo që u njoftuan në mes veti por ata me këto shënime njoftuan edhe bashkëvendasit e vete në Smirë, smirasit e punësuar në vende të ndryshme Europiane dhe me gjerë.

Leave A Reply