SAM_0390Fadil (Haxhi Ramadan) Misini, nga Smira, para 14 viteve, kishte braktisur vendlindjen dhe çdo gjë që kishte, sikur shumë kosovarë që i shmangeshin rrezikut në kohë lufte. Fadili, bashkë me gruan, tre fëmijët e tij dhe me të vëllain Refikun kishin lëshuar fshatin, tri javë para se të përfundonte lufta, pa ditur ku do të përfundonte dhe a do të kthehej më. Sot, misinët kanë bërë prona të veta dhe kanë ngritur biznesë të suksesshme në SHBA. Me një fjalë ata po e bëjnë realitet thënjen amerikane “The American Dream”, (Ëndrra amerikane), që është sinonim i suksesit. Fadilin e takuam para pak ditësh, në Smirë, ku kishte ardhur për disa ditë pushim.

“Më 24 maj të vitit 1999, Luli, na ka dërguar me kerr me kali, nëpër ara, në Pozheran. Aty kemi marrë autobusin dhe kemi shkuar në kampin për refugjatë, Stankovec të Maqedonisë dhe menjëherë jam lajmëruar për të shkuar jashtë. Kryqi i Kuq na caktoi të shkojmë në SHBA dhe më 6 qershor 1999, ne kemi mbërri në Teksas. Bashkë me ne ka qenë edhe një familje e Lipjanit. Aty kemi takuar një shqiptar, biznismen nga Tërnovci i Bujanocit, pastaj kemi takuar edhe shqiptarë të tjerë. Disa kanë filluar të punojnë pas një muaji, por unë jo. Tre muaj nuk kam mundur të vijë në vete. Nuk besoja se mund të jetoja atje. Bile kur ka hy NATO në Kosovë, unë kam kërkuar kthimin në atdhe, por nuk më është lejuar me arsyetimin se në Kosovë, akoma nuk kishte stabilitet. Me ndihmën e shokëve, u stabilizova pak dhe nisa edhe unë punën. Nja 6-7 muaj kam punuar shumë. I kam mbajtur dy vende të punës. Prej orës 8:00 deri në orën 16:00 punoja në auto-larje kurse prej 17:00 deri në 23:00, punoja në restorant. Edhe i vëllai Refiku punonte në një restorant”, tregon Fadili fillimin e vështirë të qëndrimit të tij në Teksas.

 

Pas një viti, Fadili bashkë me gruan, fëmijët dhe të vëllain Refikun ka lëshuar Amerikën dhe është kthyer në Kosovë, për të vazhduar jetën këtu. “Në Smirë hapa pikën e karburantit ‘Enisi Petrol’, këtë që e kemi tash. Pas 11 muajsh shkova në SHBA për të vazhduar pasaportën, sepse kishim disa pasaporta për refugjatë. Në ndërkohë fillova të punoja si mbikëqyrës në një pompë benzine tek një pakistanez. Ndërrova mendje dhe vendosa të qëndroja në Amerikë. Pas tre muajsh i kam marrë edhe familjen kurse pas gjashtë muajsh ka ardhur edhe Refiku. Kështu kemi vazhduar deri në vitin 2003, kur kam hapur një restorant timin me specialitete italiane, me emrin ‘Frenki`s pasta&pizza’ , sepse atje të gjithë më thërrasin Frenki. Një vit kam punuar me qira, pastaj e kam blerë restorantin,”, thotë mërgimtari  smiras në Amerikë, Fadil Misini.

Në ndërkohë edhe i vëllaiu i tij, Refiku, ka hapur, po në Texas, restorant të vetin në vitin 2005. Me rritjen e biznesit dhe me krijimin e përvojës në fushën e hotelierisë, dhe me paraqitjen e nevojës për shkollim më kualitativ të fëmijëve, në vitin 2008, Fadili është zgjeruar akoma dhe ka blerë pronë në Oklahoma City të shtetit Oklahoma, ku akoma punon në restorantin e tij ‘Portofino Italian restaurant’, me 13 punëtorë të angazhuar. Kurse restorantin në Teksas e ka lëshuar me qira.

Fadili rrëfen se gjithë këtë sukses e ka arritur bashkë me familje, me vështirësi dhe sakrifica të mëdha. “Mos mendoni se është lehtë. Është vështirë të ballafaqohesh me jetën në Amerikë. Nuk është si në filma që duket. Duhet të punosh shumë, me përkushtim dhe me korrektësi, sepse konkurrenca është e madhe dhe plot biznese kanë dështuar. Edhe në fillim kam pasur sfida deri sa e kam hapur biznesin për herë të parë. Por, tani jam stabilizuar dhe jam duke punuar mirë. Sa për ilustrim po ju tregoj se në vitin 2005, tek ne, me propozim të qytetit, ka qenë 3-4 herë edhe guvernatori

i Taxasit. Në punë më dihmojnë edhe gruaja dhe fëmijët kohë pas kohe, sepse ata më shumë janë të preokupuar me mësime”, thotë ai.

Megjithatë ai pohon se pasuria dhe paratë, nuk janë kënaqësia më e madhe në jetë. “Respekti, dashuria dhe harmonia janë vlerat më të larta njerëzore. Duhet të mbështetemi më tepër dhe të ndihmohemi midis vete. Njerëzit që bëjnë diçka të mirë ose të suksesshme duhet të inkurajohen”, thotë Fadili.

Fadil (Ramadan) Misini ka dy shtëpi të veta në Oklahoma City dhe jeton me gruan dhe fëmijët: Enisi (20) student i biznesit, Marigona (19) studente e mjekësisë, Advani (16) në shkollë të mesme dhe Lejla (14), e cila ka lindur në Teksas, është në shkollë fillore. Fadili tregon se fëmijët e flasin dhe e shkruajnë shumë bukur gjuhën shqipe dhe poashtu kanë dëshirë të flasin për Smirën dhe të vijnë këtu.

Fadili nuk dëshiron të vdesë në Amerikë dhe herët e vonë, do të kthehet në vendlindje. Sipas tij, edhe fëmijët do të shkollohen në Amerikë dhe do të kthehen për ta dhënë kontributin në Kosovë. Këto fjalë i vërteton edhe shtëpia e re të cilën po e ndërton në Smirë.

Leave A Reply