Smirasit në Shkup edhe një herë janë takuar me qëllim të majtjes së komunikimit mes tyre. Shoqata “Smira Dardane” me kryetarin Zijadin Sylejmani ka mbajtur takimin tradicional të radhës, në të cilin morën pjesë smiras që jetojnë kryesisht në Shkup dhe bashkëvendas të tyre nga Smira dhe Shqipëria. Takimet e tilla, dhe jo vetëm ato, organizohen me qëllim të mbajtjes dhe forcimit të lidhjeve midis smirasve nga Shkupi dhe origjina e tyre në Smirë.
“Unë nuk po shoh ndonjë pengesë të që të mos punojnë dhe të mos vazhdojmë rrugën, e cila na ngriti aq lart duke na njohur dhe lidhur të gjithëve. Ne duhet të angazhohemi deri në maksimum në mënyrë që ne vërtetë të jemi shembull i përkushtimit të mbështetjes dhe respektimit të njëri-tjetrit. Organizimet e Shoqatës “Smira Dardane” në Shkup, të Shoqatës “Smira” në Gjenevë, por edhe aktivitetet që mbahen në vendlinjen tonë në Smirë, janë vlera që nuk i ka asnjë komunitet tjetër në rrethin ku jetojmë. Shoqata ndërtoi ura bashkëpunimi edhe me Smirën. Përmes këtyre urave kemi krijuar lidhje të mira edhe me bashkëvendasit që punojnë në vende të ndryshme të Evropës si dhe në Shqipëri. Përmes këtyre lidhjeve u njohëm me shumë të arritura të njerëzve tanë smiras. Për punën tonë flitet gjithandej, prandaj këto vlera duhet t`i ruajmë”, ka thënë Sylejmani.
Ai ka lutur të gjithë që të angazhohen dhe të përfshihen më shumë, në mënyrë që komunikimi dhe raportet që janë krijuar të forcohen edhe më shumë. Sylejmani ka falënderuar familjen e tij dhe mahallën Halilaj që e ka mbështetur deri më tani në organizimin e aktiviteteve të ndryshme.
“Smira është fshat me histori të vjetër. Këtë e tregon edhe simboli i Smirës. Profesoresha Edi Shukriu më ka thënë që ky është një nga zbulimet më të mëdha që mund të jenë bërë në Kosovë dhe Smira është thesar i pazbuluar akoma. Smira është dalluar edhe me shkollë, sepse ka dhënë shumë arsimdashës dhe njerëz të sholluar. Përmes kësaj Smira ka arritur të bëhet një fshat jashtëzakonisht i zhvilluar”, ka thënë Ferizaj.
Hoxha i fshatit Smirë Gafurr Ramadani ka shfaqur respektin për gatishmërinë e smirakve për t`u takuar dhe për të forcuar lidhjet. Sipas tij, vizitat midis njerëzve janë të parapara edhe në mësimet fetare, sepse ato na pasurojnë në përgjithës dhe e fisnikërojnë akoma më shumë shpirtin e njeriut.
Manifestimi ka vazhduar me darkë të përbashkët të shtruar nga shoqata dhe me muzikë e argëtim.