Monumentet e gjetura në Smirë. Fotografi nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore
Prof. Dr. Edi Shukriu, në një intervistë të mëhershme për Radio Kosovën, ndër të tjera ka folur për punën e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, kryetare e së cilit është; Për rolin e Akademisë së Shencave dhe të Arteve të Kosovës për trashëgiminë kulturore; Për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë; Për artefaktet që janë marrë në Serbi si dhe për rëndësinë e monumenteve arkeologjike të gjetura në Smirë, më 1988. Një pjesë të kësaj interviste ua sjellim në vazhdim.
“Radio Kosova”: Zonja Shukriu, cili është roli i Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, udhëheqëse e të cilit jeni ju?
Për sqarim të mëtejmë, KKTK duhet të vlerësojë projektet e propozuara nga institucionet apo të OJQ-ve, vendore ose ndërkombëtare, ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është përgjegjëse për aprovimin dhe zbatimin e tyre. Propozimet për shpalljen e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme i paraqiten KTKK-së, për rishikim, adaptim ose refuzim. Në bazë të vendimit të KKTK, ato përfshihen në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, me vendim të ministrit të MKRS. Këtë listë duhet ta ketë çdo shtet.
KKTK, ende po ndeshet me pengesa të shumta, për shkak të mos respektimit apo të mos njohjes së ligjeve në fuqi dhe po aq se e ka për detyrë mbikqyrjen e veprimeve në këtë fushë që kërkon njohuri të veçanta dhe multidisiplinare, të ndjeshme dhe që bie pre e presioneve politike.
“Radio Kosova”: Çfarë është gjendja e trashëgimisë kulturore sot, në Kosovë?
Prof. Dr. Edi Shukriu: Do të doja të mos më kishit shtruar këtë pyetje se më përkujton se jam angazhuar për çlirimin, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, që një ditë të kem mundësi për studime më të qeta të thesarit kulturor që e kemi trashëguar. Po, dikur mendoja se do të krijohen mundësi të shumta për studime të mirëfillta. Lakmia e të paditurve dhe poltronizmi ndaj të huajve, po na merr në qafë edhe në këtë fushë. Mendoj se përpilimi i Listës së Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përhershme ka shumë vonesa. Kjo është komponentë bazë e identitetit të shtetit. Ishte kjo arsye që në vitin 2000, krijova kushte për nismën e regjistrimit të pronave të trashëgimisë kulturore të Republikës e Kosovës dhe përcaktimin e tyre për mbrojtje. Në Kosovën e pasluftës, me trashëgiminë kulturore nisën të merren individët që panë levërdi personale, ndërsa trashëgimia kulturore vazhdon të shihet si atraksion ditor. Ka shumë fjalë e premtime institucionale dhe shumë pengesa për ata që dinë dhe duan të punojnë.
“Radio Kosova”: Cili është roli i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sa i përket çështjes së trashëgimisë kulturore? A duhet të merret më seriozisht me fushën e trashëgimisë kulturore?
Prof. Dr. Edi Shukriu: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duhet të krijojë sektorin e studimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke përfshirë trashëgiminë arkeologjike, arkitektore, të luajtshme, shpirtërore dhe peizazhet kulturore. Pa këto nuk ka përparim të fushës…
“Radio Kosova”: Serbia po përfiton shumë nga kishat dhe manastiret e Kosovës. Çfarë mendoni ju për këtë?
Prof. Dr. Edi Shukriu: Pronat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, mund të jenë në shfrytëzim, siç është rasti i kishave dhe i manastireve ortodokse në Kosovë, të cilat shfrytëzohen nga Kisha Ortodokse Serbe. Moskuptimi i nocioneve pronë dhe shfrytëzim, apo përzierja e tyre, po shkakton hapësirë për manipulime dhe për presione politike që ende vijnë nga Beogradi. Pre e këtyre presioneve po bëhen së pari ndërkombëtarët dhe pastaj dhe vendorët.
Me këtë rast nuk dua të flas për lashtësinë e këtyre kishave para ardhjes së sllavëve në këto hapësira. Serbia gjthmonë e ka shfrytëzuar trashëgiminë kulturore si mjet të presionit politik. Këtë e dinë ekspertët e paktë të fushës në Kosovë. Përkujtoj se kishat dhe manastiret të Kosovës, që sot gabimisht quhen serbe, janë godina sakrale shumë shtresore dhe numër i madh i tyre janë krijuar që në kohët e besimit pagan. Për to kam shkruar dhe unë, në veçanti për Kishën e Shën Premtës në Prizren. Duke u mbështetur në rezultatet e kërkimeve arkeologjike dhe arkitekturore të studiuesve të mëhershëm, kam konstatuar katër faza të ndërtimeve para rindërtimit të kishës nga mbreti mesjetar serb Millutini. Mendoj se studimi i tyre duhet të jetë i mbështetur nga shteti, me programe dhe ekipe shkencore të mirëfillta.
“Radio Kosova”: Objektet e lëvizshme të trashëgimisë sonë kulturore, Serbia i ka marrë. Ka rrugë për t’i kthyer sërish?
Prof. Dr. Edi Shukriu: Janë marrë shumë! Një pjesë me revers e pjesa tjetër në mënyrë ilegale. Lidhur me kthimin e tyre, pos rrugëve diplomatike, duhet të veprohet përmes instrumenteve ligjore ndërkombëtare.
“Radio Kosova”: E keni përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme për çështjen e trashëgimisë kulturore. Sa është e besueshme nga këto vende ekzistimi i antikës sonë?
Prof. Dr. Edi Shukriu: Ne duhet të veprojmë shumë më shumë në këtë drejtim, andaj besueshmëria varet nga puna e jonë. Libri im me trajtesë të zhvillimeve parahistorike dhe antike është një bazë solide dhe është e çuditshme që ende nuk ribotohet. Ne duhet të jemi prezentë kudo me promovimin e trashëgimisë kulturore, në baza shkencore dhe profesionale, duke shfrytëzuar edhe të gjitha mundësitë që ofron teknologjia bashkëkohore. Kjo duhet të zhvillohet në baza institucionale, fillimisht duke pasur ne vet njohuri, madje të thella, për këtë trashëgimi kulturore. Jo rastësisht kam nisur të them se nuk guxon të na përfaqësojë askush jashtë Kosovës nëse nuk di gjë për labyrinthin rrethor nga Smira, që e kemi bërë simbol identifikues të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Intervistoi: Vera Pelaj