Arbëri thotë se ka shumë energji dhe atë dëshiron ta zbrazë përmes goditjeve. “Në karate kur shkojsha nuk më kënaqke sepse aty më shumë ka teori dhe mësim se si bëhen katat e karatesë. Pra më mungonte goditja. Unë kam qef me u rrah, pra me u shfry mirë. Mirëpo, pasiqë nuk është e njerëzishme të rrahesh me njerëz në rrugë apo vende tjera, e kam zgjedhur ringun. Aty është vendi… edhe shfryhem edhe bëj sport”, thotë Arbëri për portalin tonë.
Mirëpo, kjo nuk është arsye e vetme që Arbërin e ka futur në ring. Ai përmes këtij sporti luftarak dëshiron të bëhet i njohur dhe shembull prej sportisti të mirë. “Në fillim prindërit na kanë dërgu, siç ju thashë, në karate bashkë me të vëllain tim Shkodranin, vetëm të jemi ta angazhuar pas mësimit, pra të merremi me diçka. Por pastaj sporti më hyri në gjak dhe tash dëshiroj të merrem me boks… dhe pse jo edhe të krijoj karrierë dhe të bëhem i famshëm. Kjo është ëndërra ime, pra që njerëzit të dëgjojnë për mua”, thotë Abëri.
Boksieri i ri smiras thotë se për të nisur rrugën e sporteve kuftarake kanë ndikuar edhe idhujt e tij, boksieri Majk Tajson dhe kik-boksieri tashmë i ndjerë Besim Kabashi. “Sidomos e kam dashur Besim Kabashi dhe më ka lënë përshtypje qëndrueshmëria e tij. Ai ka qenë vështirë të rrëzohej dhe nuk dorëzohej kurrë edhe pas shumë goditjeve të forta që merrte”, shprehet Arbëri Ibishi.
Arbëri në fund të bisedës për portalin tone, para se të kthehej në Gjenevë, iu bën thirrje edhe të rinjve tjerë, këtu e në diasporë që të merren më shumë me sport apo kulturë, sepse kështu edhe e kalojnë kohën më mirë, por edhe e ndërtojnë veten, në aspektin fizik dhe psikik.