“Nexhmedin Hetemi ka bërë punë dhe kontribut të çmuar për shkollën tonë. Por, vjen një moment në jetë, kur njeriu edhe duhet të pensionohet, siç është dita e sotshme për sekretarin tonë. Në emër të kolektivit të shkollës e falënderoj për angazhimin e tij 39-vjeçar në arsim. Është nder për ne që kemi pasur një njeri të tillë në mesin tonë. Të gjithë kemi kaluar kohë të çmuar me të. Ai do të mbetet gjithmonë i yni, sepse kujtimet dhe puna e tij nuk harrohen kurrë”, tha drejtori i shkollës, Feti Sahiti.
Për të nderuar Nexhmedin Hetemin dhe për të shënuar pensionimin e tij, aty ishin edhe zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në Viti. “Çkado që themi për të është pak, sepse Nexhmedini përveç punës profesionale që ka kryer në shkollën profesionale e karakterizon një anë tjetër edhe më e rëndësishme, sepse ai është një njeri i cili ka virtyte jashtëzakonisht të larta. Sado që unë po e them këtë, ju jeni ata të cilët e dini edhe më mirë”, tha zyrtari arsimor Shefik Sadiku.
Sekretari i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, në Viti, Zejnullah Halili, i cili ka kaluar kohë të gjatë me të tha se do t`i mungojë shumë. “Ai është shembull i një njeriu të përkryer, në të gjitha aspektet. Është i urtë dhe i qetë. Unë e pranoj se do ta kem vështirë pa te, sepse kemi kaluar kohë dhe kujtime të mira, edhe si kolegë, por edhe si bashkëfshatarë që jemi”, thotë Zejnullah Halili. Poaq falënderues për Nexhmedin Hetemin por edhe i mërzitur që po u shkon nga mesi i tyre, shprehet edhe profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Avdyl Imeri.
Kurse profesori i lëndëve Bujqësore, ing. Nagip Demiri, tregon se Nexhmedin Hetemin e ka pasur edhe kujdestar. “Ka qenë fantastik. Ai na ka pajisur me dije në aspektin profesional, por edhe na ka edukuar dhe ka qenë shembull. Prof. Nexhmedini do të na shërbejë gjithmonë si udhërrëfyes në punë dhe jetë”, thotë prof. Nagipi.
Në shenjë respekti për punën e palodhshme, Drejtoria komunale e Arsimit në Viti i ndau mirënjohje. Kurse kolegët e shkollës i ndanë mirënjohje dhe një orë dore si kujtim. Derisa profesori i Edukatës Fizike, Skender Halili i kishte bërë personalisht si dhuratë një orë muri. Përveç këtyre, me kontributin e kolegëve u shtrua edhe një darkë për të dhe u pre torta për ditëlindjen e Nexhmedin Hetemit.
BIOGRAFIA E NEXHMEDIN HETEMIT
Punën e ka filluar në vitin 1968 në fshatin Skifteraj si arsimtar, pastaj në vitin 1975 është punësuar në Smirë. Në vitin 1978 fillon punën në Shkollën e mesme në Viti si profesor i Kimisë, kurse nga viti 2001 punon si sekretar në Shkollën e Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, në Viti.
Gjatë karrierës së tij Nexhmedin Hetemi ka qenë shef ndërrimi apo përgjegjës i paraleleve të ndara në Goshicë, pastaj ka punuar si arkëtar dhe së fundi edhe si sekretar.
Ai përveç karrierës profesionale njihet edhe si organizator dhe pjesëmarrës i aktiviteteve dhe aksioneve të ndryshme që janë zhvilluar në fshatin Smirë.