Sipas psikologëve, njeriu i ka tri mosha: e para është biologjike, e dyta si ndihet dhe e treta si duket njeriu. E, xha Kadri me gati një shekull jetë mbi supe, edhe ndihet mirë, por edhe duket i konsoliduar për moshën që e ka, vetëm vjetët që nuk mund t`ia heqësh. Ai as sot nuk përdor barna dhe kurrë nuk ka qenë i sëmurë.
Thotë se këtë moshë e ka arritur vetëm duke menduar pozitivisht dhe duke punuar. “Zoti me ka ndihmuar të jem kështu dhe të jetoj kaq gjatë. Kurrë nuk jam sikletuar, apo nervozuar. Gjërat i kam marrë me qetësi dhe si diçka normale që i ndodh njeriut. U bë-u bë. Kam besuar se jeta e ka udhën e vet dhe se njeriu nuk mund të përzihet në disa punë. Nuk jam marrë me punë të huaja. Kam punuar shumë, më së shumti tokën. Prej 13 vjet kam ndihmuar nënën për t`u kudjesur për bagëtinë. Nuk jam ndalur kurrë. Ka pasur raste kur kam bartur dru të rëndë deri 150 kg. I kam kqyrë vetëm punët e mia dhe të familjes sime”, thotë axha Kadri.
Mendon se gjatë gjithë periudhave, jeta e shqiptarëve ka qenë e rëndë dhe e vështirë, kurse një lloj zhvillimi për ta, ka nisur pas prishjes së Serbisë. “Vështirë ka qenë. Krejt shqiptarët kanë vujt prej okupatorëve. Unë i kam përjetuar tre okupatorë. Qe në vitin 1945 serbët ma kanë pre dorën e djathtë dhe prej atëherë e kam gjysmë të aftë për punë, kurse një gisht më ka mbetur i palëvizshëm. Selimin tonë e rrahën shumë në shpi. Më thanë edhe mua të shtrihem, por unë kundërshtova dhe duke u kacafytur me ta, më prenë dorën me thikë”, thotë axha Kadri, duke na treguar dorën.
Në këtë ditëlindje të veçantë ishte edhe Hysni Ahmeti. Ai tregon se axha Kadri del deri te shitorja dhe bisedojnë por shkon edhe te kusheritë tjerë që janë pak më larg. Kurse edhe ai e viziton shpesh në shtëpi. Axha Kadri thotë se tashti është më mirë, por njerëzit nuk po duhen shumë. “Përpara nuk kishim pasuri, por jemi repektuar dhe vizituar më shpesh. Tashti nuk ke me kend ta ndërrosh një llaf. Më së shumti rri me Ferizin, Brahimin e Idrizin. Edhe Hysnia vjen shpesh te unë. Më herët ardhshin prej katuni, prej kamosit te në odë. Unë i bëja hyzmet odës. Feriz Qaushi i Asllanoviqe, Hyseni i Sylës, Idrizi i Zenës, Hamit Zuka, Abedin Bibrraki etj, vishin te baba im-Ahmeti dhe mixha Ibishi-ky ka qenë kryetar i katunit. Krejt e kanë dashur Ibishin”, thotë axha Kadri.
Këtë e vërteton edhe vajza e tij, Sevdija e cila bashkë me burrin Avdylin dhe djalin Arbenin kishin ardhur enkas nga Sadovina e Muhaxherëve për ditëlindjen e axhës Kadri. Bile i kishin sjellë edhe një tortë. “Gjithmonë ka qenë i qetë dhe i rehatshëm. Ka qenë punëtor i madh dhe kurrë nuk ka bërë zhurmë ose fjalë për diçka. Gjithmonë jemi kënaqur me te. E meriton një kujdes të veçantë. I urojmë ditëlindjen dhe i dëshirojmë edhe shumë vite tjera jetë”, thotë vajza e tij Sevdija. Tortëi kishte bërë edhe vajza e djalit-Arta.
Plaku më i vjetër në Smirë, nuk harron të na porositë disa herë, që t`i ruajmë të mirat që i kemi arritur, sepse në të kundërtën mund t`i humbim.
Ai na rrëfen se deri para një viti ka shkuar këmbë edhe deri te Ara e Hanës, por tashti ec vetëm nëpër lagje. Thotë se gjumi e zë mirë kurse edhe oreksin e ka të mirë dhe nuk zgjedh në bukë-i ha të gjtiha ushqimet. Edhe kujtesa akoma nuk e ka tradhtuar. Ai e lut Zotin që t`ia bëjë itë lehtë edhe pjesë tjetër të jetës.
Axhës Kadri Pajaziti nga Smira, i dëshirojmë shëndet të mirë dhe jetë të lumtur.
URIME DITËLINDJA E 95-të, AXHA KADRI!