demonstratat_e_vitit_1981.2_320x200Demonstratat e vitit 1981 mbeten ngjarje madhështore në historinë e çlirimit kombëtar të shqiptarëve. Parullat: “Kosova Republikë!”, “Duam kushte më të mira!”, “Trepça punon-Beogradi ndërton”, “Poshtë Shovenizmi serbomadh!”, etj. ishin manifestimi më i qartë, më i pastër i revoltës së një populli që këtkonte

 

çlirimin nga poshtërimi dhe shtypja. Të vërtetat e “Pranverës Shqiptare” janë dëshmi e pashlyeshme e guximit dhe trimërisë studentore e mbarëpopullore shqiptare, por edhe e aksioneve të aparatit represiv serbo-sllav. Edhe Smira i pati “krushqit”, e vet të kësaj “dasme”, që nisi në pranverën e vitit `81 në Prishtinë dhe vazhdoi në gjithë Kosovën. Elmaz Bajrami, Bushat Zuka, Haki Hasani e Zekirja Zuka, nga Smira, që ishin ndër protagonistët kryesorë të atyre demonstratave në komunën e Vitisë, kujtojnë me modesti ato ditë të “nxehta” kur po riniste një rrugë e re dhe e vështirë drejt çlirimit përfundimtar të popullit shqiptar. Bushati fillimisht tregon se pas vitit 1981, çdo përjvetor e ka shënuar në ndonjë mënyrë, qoftë edhe vetëm duke e shkruar parullën e njohur K.R (Kosova Republikë), qoftë në mënyra të tjera. Këtu ndërlidhet Elmazi, i cili thotë se ka qenë shumë kohë e vështirë, sepse kontrolli i shtetit ka qenë shumë i rreptë. “Edhe në lisa kur i gëdhendnim shkronjat K.R, pushteti bënte hetime, e lëre më për diçka tjetër. Kurse zakonisht në përvjetoret e demonstratave të vitit `81, visheshim kuq e zi”, thotë Elmazi. Sipas Hakiut, kjo ndjenjë ishte mbjellë edhe më herët nga përpjekjet për të ndryshuar gjërat dhe me takime e lidhje që kanë pasur me njerëz të ndryshëm që ishin nisur kësaj rruge. “Në atë kohë kemi lexuar literaturë me përmbajtje kombëtare, si: “Liria”, “Zëri i Kosovës”, “Këngët e Lirisë” si dhe kemi dëgjuar audio-kaseta me këngë patriotike dhe kemi pasur materiale të tjera nga Shqipëria, si fanela me flamurin kombëtar dhe broshura”, thotë Hakiu. Edhe dy bashkëbiseduesit tjerë rrëfejnë si kanë pasur takime me patriotë të asaj kohe që planifikonin veprime në mënyrë që shqiptarët të kenë të drejtat e tyre.

Në vitin 1981, Elmaz Bajrami ka qenë student i vitit të II-të në Ekonomi, Hakiu në vitin e parë në Biologji, kurse Bushati ka qenë absolvent i Makinerisë në MItrovicë. Të tre kujtojnë se studentët e Smirës kishin marrë pjesë në të gjitha demonstratat që ishin mbajtur në Prishtinë prej 11 marsit e tutje. Por, sipas tyre, ndjenja për të lëvizur gjërat përpara duhej të shtrihej edhe këtej. Elmazi thotë se më 2 prill 1981, është takuar me Enver Topallin, i cili i ka treguar se më 3 prill do të ketë demonstrata në Ferizaj, kurse në mbrëmje është takuar edhe me Bushat Zukën në Smirë dhe janë marrë vesh që të nesërmen të dalin në Viti për të nxitur protestat. “Në mëngjes jemi nisur me autobus për Viti. Kemi takuar edhe Fahri Jetishin, të cilit i kemi treguar për qëllimin tonë. Edhe ai na është bashkuar dhe na ka përkrahur. Kemi shkuar te shkolla ku na është bashkuar edhe Agim Haziri nga Vërbani”, thotë Elmazi. Bushati tregon se ka folur me Zekirja Zukën, atëherë arkëtar i Qendrës shkollore dhe me disa nxënës tjerë për t`i nxitur ata të dalin në protesta. Zeka thotë se atë ditë ka pasur turne në futboll dhe klasa e tij ka qenë jashtë. Në ato momente, diku kah ora 10:30, derisa Zekirjahu po bisedonte me aktivistët e komunës, Isak Ahmetin dhe Skender Shefkiun, që kishin ardhur të parandalonin protestat, ndonëse ato nuk ishin paralajmëruar, disa nxënës në shenjë revolte për praninë e tyre aty, kanë thyer disa xhama të dritareve të klasave dhe të gjithë nxënësit kanë dalur jashtë. “Kjo ishte kuptuar si sinjal për të nisur protestat pasi ne ishim bërë gjithë sy e veshë duke përcjellur çka po ndodhë në Prishtinë dhe qytete tjera dhe kjo pritej edhe në Viti”, thotë Zekirjahu. Ai shton se nxënësit kanë tentuar të dalin në qytet, por i ka kthyer policia që ishte te ura. “Kur jemi kthyer në oborr, zëvendësdrejtori i shkollès, Rade quhej, ka bërë thirrje që të shpërndahemi, por aty ka ndërhyrë Bushat Zuka dhe e ka grushtuar atë. Aty kanë qenë edhe studentë tjerë smiras, Elmaz Bajrami, Qahil Imeri, Rrahim Sylejmani etj. Edhe në mesin e nxënësve më të zëshmit ishin smirasit, si: Selim e Haki Sejdiu, Jahja e Hysen Zuka, Izer e Sali Salihu, Kemajl Bajrami, Arif Arifi etj. Jemi nisur sërish dhe në tentimin e dytë kemi thyer kordonin policor dhe kemi vazhduar drejt qendrës. Aty na kanë ndarë në dy grupe. Afër stacionit policor jemi përleshur me policinë, ata me shkopinjë gome, ne me gurë, por nuk ka pasur të lënduar. Na kanë gjuajtur edhe me topa uji”, thotë Zekirjahu. Strukturat e atëhershme komunale, kryetari i komunës Selim Musliu dhe kryetari i Komitetit Ekrem Arifi, kanë kërkuar që protestuesit të shpërndaheshin, por ata nuk kanë pranuar. Bashkëbiseduesit tregojnë se drejtori i shkollës së mesme, Idriz Halabaku dhe shumica e profesorëve i kanë përkrahur dhe mbrojtur nxënësit që të mos u ndodhë ndonjë e keqe, pasi që e gjithë qendra e Vitisë në atë kohë banohej nga serbë.

“Te vendi ku është xhamia sot, protestuesit janë bashkuar sërish. Te stacioni është bashkuar edhe studenti smiras Haki Hasani, i cili u tha protestuesve se në Prishtinë policia po bënte kërdi mbi studentët dhe vëllezëeritr shqiptarë, vetëm se po kërkojnë të drejta”, kujton Zekirja Zuka atë ditë. Turma pastaj vazhdoi drejt VINEX-it, me qëllim që të nxiste edhe punëtorët që t`i bashkoheshin protestës, por ata ishin të bllokuar edhe nga drejtoria edhe nga policia. Tashmë turmës i ishin bashkuar edhe shumë qytetarë. Duke parë rrezikun se në qytet mund të hasnin sërish në policinë, protestuesit kanë vazhduar rrugën nën VINEX, arave dhe kanë shkuar te shkolla e mesme. Elmazi tregon se aty ju ka lexuar nxënësve kërkesat e studentëve në Prishtinë, duke i ftuar ata që ta bojkotojnë mësimin deri në realizmin e kërkesave. “Mirëpo, kur na erdhi informata se në Viti tashmë kishin mbërritur forcat speciale serbe të policisë, unë kërkova nga protestuesit që të shpërndaheshin, për të evituar dhunën që mund të ushtrohej mbi ta, pasi efekti ishte arritur. Kështu, protestuesit u shpërndanë pa ardhur forcat speciale, kurse helikopteri i policisë speciale na rrinte mbi kokë. Aty policia është përpjekur të na arrestojë, por nxënësit na kanë mbrojtur. Në mesin e tyre kanë qenë Skender Luzha dhe disa smiras”, tregon Elmazi. Pas këtyre ngjarjeve filloi represioni dhe shtypja ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestës. Ndaj Elmaz Bajrami dhe Haki Hasanit u lëshua fletëarrest. Hakiu u arrestua më 7 prill, kurse u dënua pas dy ditësh me 60 ditë burg. Elmazi u arrestua më 9 prill dhe u dënua pas dy ditësh poashtu me 60 ditë burg. Kurse Zekirja Zuka pas një muaji u shkarkua nga detyra e kryetarit të Lidhjes së Rinisë në Smirë. Bushat Zuka u dënua në vitin 1983 me 60 ditë burg, kurse Fahri Jetishi me 40 ditë burg, derisa shumë smiras janë marrë në pyetje. Pas burgut ka vazhduar edhe diferencimi politik. Elmazi e Hakiu janë përjashtuar nga fakulteti, kurse nga familjet është kërkuar që të distancohen nga ta, por kjo nuk ndodhi. Diferencimin kërkohej ta bënte edhe fshati. “Në atë kohë në Smirë kishte ardhur Halil Fejzullahu, atëherë zyrtar i pushtetit dhe kishte mbajtur një takim me fshatarët në shkollë, për të dënuar atë që kishte ndodhur më 3 prill në Viti. Por banorët nuk janë lëkundur. Na kanë përkrahur deri në fund dhe ne nuk jemi penduar për të që e kemi bërë”, tregojnë, Elmazi, Bushati e Hakiu. Pas një muaji në fshat ka ardhur edhe Sinan Hasani, atëbotë anëtar i Kryesisë së Federatës Jugosllave me mision të njëjtë. Por, as atij nuk i ka dhezur kjo punë. Demonstrata dhe aktivitete pastaj ka pasur për çdo vit, në përvjetorin e atyre që u mbajtën më 3 prill të vitit 1981.

Demonstratat e vitit 1981 filluan më 11 mars, kur studentë të Universitetit të Prishtinës nisin të kërkojnë përmirësimin e ushqimit në mensën e tyre dhe kushte më të mira në konvikte. Pushteti i atëhershëm i përshkroi demonstratat si të provokuara nga elementë armiqësore. Pas dy javësh, demonstratat rifilluan më 25 dhe 26 mars. Ato nuk ishin tani veç një proteste studentore, por revoltë e masave të gjëra popullore, që u shpërnda anembanë Kosovës. Mijëra e mijëra punëtorë, profesorë, studentë, mijëra shqiptarë dolën në protesta. Menjëherë, serbët e titistët shqipfolës u alarmuan. Qeveria federale dekretoi gjendje shtetrrethimi, duke sjellë ushtrinë të patrullojë qytetet, rrugët kryesore e kufijtë. Edhe autoritetet shqipfolëse të të ashtuquajturës “Krahine Socialiste Autonome” të Kosovës reaguan, duke denoncuar demonstratat si “kundërrevolucionare”, “armiqësore”, “irredentiste” e “separatiste”. Nëpunësit e regjimit ushtruan boll dhunë kundër civilëve shqiptarë, duke përdorur gaz lotsjellës e madje armë zjarri. U ndërmorën arrestime të demonstruesve, ndaj të cilave nëpunës e UDB-së u vërsulën për t’i rrahur e torturuar. Ka pasur edhe protestues të vrarë. Kryengritja e vitit 1981 mbetet si periudhë e rëndësishme dhe vendimtare në historinë e popullit shqiptar, e cila ka çuar deri në një organizim më të fuqishëm gjithëpopullor-në luftën e armatosur e UÇK-së, për t’u çliruar nga robëria shekullore serbe. Tashti, 31 vite pas, Elmaz Bajrami thotë se do të bëjnë përpjekje që të mblidhet material e dokumente nga ngjarjet e vitit 1981 dhe të qitet në letër, në mënyrë që t`i kenë gjeneratat e ardhshme dhe që ajo periudhë të mos mbetet në harresë. Elmazi, Bushati, Hakiu, Zekirjahu thonë se kanë pasur materiale e fotografi, por se u janë dëmtuar me kalimin e kohës, sidomos gjatë luftës së fundit, kurse pjesën më të madhe të dokumenteve i ka pasur Sigurimi Shtetëror i Serbisë. Këta tre aktvisitë të hershëm, thonë se rruga që kanë ndjekur ka qenë rruga e vërtetë dhe se edhe 100 herë po të kthehej ajo kohë, njëjtë do të vepronin.

Leave A Reply