Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderoi shtetin zviceran për angazhimet në të gjitha fazat e zhvillimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës. “Për një kohë të gjatë në të kaluarën e afërt, shteti i Zvicrës ka qenë atdheu i dytë për qindra-mijëra kosovarë, të cilët për shkak të represioneve të shumta politike të asaj kohe ishin të detyruar ta lëshonin vendlindjen”, tha ministri Makolli. Ministri Makolli tha se, MD angazhohet për ruajtjen e identitetet kombëtar dhe gjuhësor të mërgimtarëve tanë, por njëkohësisht është shumë e interesuar që diaspora të integrohet në të gjitha fushat e jetës në shoqëritë ku ajo jeton.Ai po ashtu tha se, në politikat e MD parashihet edhe organizimi dhe zhvillimi i mësimit plotësues në gjuhën amtare duke bashkëpunuar me mekanizmat vendor të shtetit zviceran.Makolli potencoi se, ndihmë në integrimin sa më të mirë të mërgimtarëve në Zvicër mund të japin edhe arsimtarët e mësimit plotësues dhe Qendrat Kulturore të Kosovës që parashihen të hapen në vendet ku ka përqendrim më të madh të mërgimtarëve tanë, kësisoj edhe në Zvicër, dhe për këtë ai shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e një marrëveshje ndërshtetërore. Ministrja për Drejtësi dhe Polici, Simonetta Sommaruga, u interesua për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, ndërsa tha se, i vjen mirë që Qeveria e Kosovës ka themeluar Ministrinë e Diasporës e cila do të merret më drejtpërdrejtë me problemet që i kanë mërgimtarët kosovarë në Zvicër.Ajo tha se, është e kënaqur me integrimin e kosovarëve në Zvicër, por tha se, në këtë drejtim mund të bëhet më shumë, sidomos me mësimin e gjuhës dhe shkollimin e përgjithshëm. Ministrja Sommaruga, shprehu bindjen se, me themelimin e Ministrisë së Diasporës në Prishtinë, Federata Zvicerane dhe shteti i Kosovës do të thellojnë marrëdhëniet dhe kjo do të ndihmojë në integrimin edhe më të mirë të mërgimtarëve kosovarë në Zvicër.