“Jam shumë i gëzuar që u shpalla më i miri. Jam ende i ri, 19 vjeç, dhe ky çmim do të thotë shumë për karrierën time. Por, ky nuk do të jetë çmimi i fundit për mua. Unë po punoj shumë që të përparoj edhe më shumë si futbollist. Dua të fitoj shumë tituj e shumë trofe”, ka thënë Shaqiri të martën për gazetën. Futbollisti i lindur në Gjilan thotë se e ka merituar të shpallet më i miri.
Zgjedhja e më të mirëve është bërë përmes votave në sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Zvicrës. Nominimin e më të mirëve e ka bërë një komision prej 80 anëtarëve, që përbëhej nga 40 gazetarë, 20 trajnerë dhe 20 ish-futbollistë të përfaqësueses së Zvicrës.