Kushtrim Rushiti, shqiptari 12 vjeçar nga Bergisch Gladbach i Gjermanisë, ka ndarë vendin e parë bashkë me një moshatare të tij (Anna Becker) në garat federale të nxënësve të Gjermanisë për zgjedhjen e lexuesit më të mirë të veprave letrare. Është kjo garë tradicionale që e organizojnë për çdo vit libraritë gjermane.

 

Kushtrimi ka fituar në një konkurrencë prej 640 mijë nxënësve gjermanë, sa kanë marrë pjesë në këtë konkurs, shkruan gazeta gjermane “Kölner Stadtanzeiger”, kurse transmeton albinfo.

“Ai erdhi, lexoi dhe fitoi”, e fillon kështu shkrimin për shqiptarin e vogël gazeta e përmendur. Ai është nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore në Kleefeld. Në shtëpi me prindërit Kushtrimi flet shqip. Në vitin 1998, familja e tij kishte ardhur nga Kosova në Gjermani.

Një djalë nga Kosova i lë mbrapa të gjithë konkurrentët e tij pikërisht në elementin në të cilin fëmijët me prejardhje të huaj kritikohen më së shpeshti: në gjuhën gjermane. Ai fiton madje jo për shkak të gramatikës dhe drejtshkrimit, por për shkakun se e kupton mesazhin e fjalëve dhe e transmeton atë me racionalitet dhe me shpirt.  /koha/

Leave A Reply