“Kur i kam pasur 8-9 vjet, e shikoja me admirim se si boksonte Luan Krasniqi. Të gjithë flisnin për të. Mua më pëlqente edhe si boksier, por edhe si personalitet i shkolluar. Prej tij e kam marrë frymëzimin e parë dhe më ka hyrë në qef boksi. Por, idol e kam edhe Muhamed Aliun-legjendën e papërsëritshme. I thashë babit se dua të merrem me këtë sport dhe ai më tha që ta provoj”, thotë Jetmiri për portalin fshatismire.com.
Ai tregon se në fillim e ka ndihmuar Alban Olluri, një djalë nga Lipjani, i cili poashtu ka ushtruar boks në një klub.
“Me të kam udhëtuar bashkë dhe më ka inkurajuar të vazhdoj. Në fillim ka qenë pak vëzhtirë, por me kohë jam adoptuar dhe iu kam përshtatur jetës së re, sepse është dashur të shkoj edhe në shkollë edhe në ushtrime”, shprehet Jetmiri.
Boksieri i ri smiras është i vetëdijshëm se ka marrë një rrugë të vështirë dhe ia ka vënë vetes një qëllim që do mund, sakrificë dhe shumë djersë.
Jetmiri aktualisht është kampion i Republikës Rheinland-Pfalz dhe thotë se është në mesin e 5 boksierëve më të mirë në Gjermani në rangun e tij. Deri tashti ka pasur 19 meçe , 12 i ka përfunduar me fitore kurse 7 i ka humbur. Së fundi ka qenë në një turne në Poloni, ku kanë marrë pjesë boksierë nga Polonia, Rusia, Çekia, Lituania dhe Gjermania, kurse ai është paraqitur në ring me këngën “Po i bie era retë e zeza”, sepse thotë se kjo këngë i ka pëlqyer për ta motivuar më shumë.
Ndonëse, ka migruar në Gjermani me familje, kur i kishte vetëm një vit e gjysmë, Jetmiri e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. Tani jeton në qytetin Neustadt An Der Weinßstrase ku i ndjek edhe mësimet në shkollën e mesme, po dhe punon njëkohësisht.
Jetmirin e takuam në Viti, ku ishte në pushime. Thotë se në Kosovë i pëlqen shumë dhe nuk i shkohet në Gjermani, por jeta, shkolla, puna, boksi… e presin atje. Ai e ka një dëshirë të zjarrtë- bile njëherë të boksojë
në Kosovë. Por, Jetmiri nuk e përjashton as mundësinë që edhe të kthehet fare për të jetuar dhe boksuar këtu, nëse i hapen dyert dhe i krijohen kushte të përshtatshme. Më së shumti ka dëshirë të boksojë për Prishtinën.
Plani i ardhshëm i tij është ta mbrojë titullin e kampionit të Republikës, e pastaj të vazhdojë me suksese të tjera, deri të prek tituj botërorë. Mirëpo, thotë se do t`i vazhdojë edhe studimet krahas boksit, sepse dëshiro të krijojë nga vetja një personalietet të kompletuar dhe të përgatitur për jetë.