Jeta i ka quar banorët e Smirës ngado. Shumë smiras kanë lëvizuar nga fshati dhe janë shpërndarë nëpër botë-dikush për të shpëtuar nga shtypja e pushtuesve, dikush për të siguruar mirëqenie, dikush për biznes, dikush për t`u shkolluar, apo dikush edhe për arsye të tjera.
Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Smirës jetojnë dhe punojnë në diasporë. Poashtu, ka familje që jetojnë në Viti, Ferizaj, Prishtinë, Obiliq, Gjilan, Mitrovicë, Kaçanik, Prizren, Rahovec. Smirasit përveq se kanë bërë prona edhe në Maqedoni, Turqi e Bosnjë e Hercegovinë, e kanë hisen e tyre edhe në bregdetin e Shqipërisë-mu buzë ujit të njelmët të Adriatikut shqiptar.
Ndër të parët që “lëshoi rrënjë” aty, në qershor të vitit 1993, në kohën kur në atë zonë nuk kishte pothuaj asgjë, ishte Emrush Ferizi. Ai, në plazhin me pisha të Golemit, fillimisht kishte vendosur një pikë shërbimi si një restorant, për të kaluar një vit më vonë në një kiosk, të modifikuar si restorant.
“Kanë qenë këto fillimet e para të biznesit tonë këtu. Natyrisht çdo nismë i ka telashet e veta, por ngadalë i kemi marrë këmbët. Në vitin 2000, kemi filluar ndërtimin, njëherë dy kate të hotelit dhe më vonë edhe dy kate të tjera. Tashti kemi 21 dhoma fjetjeje të pajisura me krevate çift dhe tek, kondicionerë, tv, ujë dhe rrymë 24h, 300 ulëse brenda dhe jashtë dhe 80 komplete çadrash në plazh si dhe parkim të mjaftueshëm për automjete. Gjatë sezonit turistik këtu angazhohemi rreth 20 punëtorë. Puna çdo vit ka shkuar duke u përmirësuar. Numri i klientëve është rritur vazhdimisht. Zakonisht na vizitojnë kosovarët, nga diaspora-Zvicra, Gjermania etj, si dhe nga Maqedonia, por vijnë edhe vendasit nga Shqipëria. Natyrisht që kompleksin tonë tursitik e frekuentojnë edhe smiras, qoftë që vendosen këtu, qoftë që banojnë në banesa private dhe vijnë këtu për ushqim dhe plazh”, tregon Emrushi, teksa përshendet me lëvizje koke disa mysafirë që erdhën për kafenë e mëngjesit.
Teksa shijojmë byrekun, flasim pak edhe për ushqimin, si pjesë të rëndësishme të pushimeve. “Ne kemi një meny gjithpërfshirëse-ofrojmë të gjitha llojet e ushqimit. Kemi specialitete mesdhetare por edhe tradicionale, duke filluar nga llojet e mishit, peshku, picat, pastat, bureku, gjellërat, etj, sipas shijes, pasiqë siç thashë edhe mysafirët i kemi nga rajone të ndryshme. Kurse çmimet nuk janë të larta. Sa për krahasim një makiato kushton 70 lekë, apo 50 cent. Mundohemi maksimalisht që klientëve t`iu ofrojmë kualitet dhe shërbime cilësore, sepse ndryshe nuk bën. Ne kemi edhe faqen e internetit www.kosmira.com, ku të interesuarit mund të gjejnë më shumë informacione për ne”, thotë Emrushi.
Dy tetovarë që takuam te “KoSmira”-Xhelali, dentist dhe Artan Skenderi, pronar i TV “Art” janë të kënaqur me shërbimet dhe kualitetin. “Unë kaherë e vizitojë këtë vend. Ndihem shumë rehat këtu, si në familjen time. Emrushi është njeri fantastik, i qetë dhe siç thotë populli i gjanë. Por edhe ushqimi, fjetja, pastërtia dhe të gjitha janë në nivel të lartë këtu. Sa herë që vi këtu kënaqem me të vërtetë. Është vend i veçantë dhe i rehatshëm”, thotë Xhelali.
Në kompleksin turistik “KoSmira”, bie në sy për të mirë, pjesa e gjelbëruar e tij. Emrushi thotë se është kujdesur që brezin e gjelbër me pisha ta ruajë dhe të mos e dëmtojë, për t`iu ofruar mysafirëve ambient të pastër dhe komod. Poashtu, kishte edhe palma, drunj dekorativ e lule. Një kopsht i vërtetë dhe i këndshëm. Smirasi Emrush Ferizi tregon se vendin e ka me koncesion, apo me qira, për 25 vjet nga shteti, por planifikon ta privatizojë, pasiqë këtë ia lejon tash Ligji më i ri.
Ndryshe, Emrushin nuk e kishte lëshuar malli për Smirën dhe smirasit-u interesua për statistikat sa smiras ka, ku jetojnë dhe çka bëjnë. Propozoi të krijohet një shoqatë dhe të financohet në mënyrë që të ketë mundësi të organizohen aktivitete dhe të ndihmohen njerëzit, sidomos më të vjetrit dhe të rinjtë. Emrushi tregon se “Kosmira” për tri vite me radhë ka dërguar falas në det grupe nxënësish të dalluar nga komuna e Vitisë, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit. Kurse prej sivjet e tutje planifikon që të njëjtën gjë ta bëjë vetëm me nxënës të Smirës.
Njëqind metra tutje, nga hoteli “KoSmira”, smiras të tjerë bëjnë biznes turizmi. Ndërmarrja private “MIGROS”, ka hapur një restorant, poashtu në linjën e parë në plazhin e Golemit. Tashti në fillimin e sezonit turistik stafi kishte organizuar punët, shte mobilizuar dhe po u shërbente mysafirëve.
“Vendin e kemi qe pesë vite, por sivjet është sezoni i dytë që punojmë me restorant. Është bërë një investim mjaft i kushtueshëm dhe jemi munduar të krijojmë një ambient komod dhe të përshtatshëm për klientelën tonë të respektuar, në mënyrë që ata të ndihen mirë sa të jenë këtu. Besoj se për këtë ia kemi arritur qëllimit, sepse edhe vitin e kaluar kemi pasur shumë mysafirë, por edhe tash, ani që jemi në fillim, kemi mjaft punë. Kemi sallën kryesore brenda, verandën jashtë dhe kopshtin në anën e prapme të restorantit”, thotë përfaqësuesi i restorantit “MIGROS”, në Golem, Nebi Zuka.
Ai thotë se kanë një staf të përbërë prej rreth 10 personave të cilët janë të gatshëm t`u ofrojnë kualitet, shërbim të mirë si dhe të krijojnë atmosferë të këndshme për pushuesit. “Kemi klientë nga të gjitha rajonet, nga diaspora, nga Kosova, Maqedonia, por më së shumti na vizitojnë nga Tirana. Mirëpo, edhe smirasit janë mysafirë të rregullt tek ne. Ne përpiqemi të jemi në nivel të lartë, sepse klienti duhet të respektohet, për faktin që ka zgjedhur lokalin tonë për t`u ushqyer e freskuar. Ofrojmë kuzhinë me ushqime të ndryshme, specialitete nga skara, pica, pasta, por edhe ushqime tradicionale kosovare”, thotë Nebihu.
Elton Janina, jurist nga Tirana, i cili ka një biznes për paluejtshmëri, po hante darkën në “MIGROS”, bashkë me gruan dhe fëmijët. Tha se i pëlqen shumë ky vend dhe është mysafir i rregullt i këtij lokali.
“Këta janë serioz dhe të organizuar mirë. Kanë investuar në një kohë, kur këtu ishte bosh dhe kur nuk ka qenë shumë i sigurt kthimi i investimeve. Në këtë kompleks banesor-afarist, pra nuk ka pasur lokale tjera të hapura. Mirëpo, falë punës korrekte kanë arritur të krijojnë imazh të mirë dhe të hyjnë suksesshëm në treg. Unë gjatë sezonit, për çdo fundjavë jam këtu. Edhe pushimet e verës i bëjë këtu. Jam shumë i kënaqur me shërbimet dhe kualitetin që ofrojnë. Më së shumti i preferoj ushqimet e Kosovës, suxhukun dhe xhizën. Edhe si njerëz janë të mirë, të afërt dhe të këndshëm, sidomos kam raporte të mira me Ismajlhakiun, është njeri i mrekullushëm. Unë ditën këtu e nisi. Kafenë e mëngjesit e pi te ‘MIGROS’-i, “, thotë Eltoni.
Aty takuam edhe smirasin Jakup Demiri me dajën e dij Sefë Sylejmani nga Shkupi. Të dytë thanë se vitin e kaluar kanë qenë vizitorë të rregullt të këtij lokali dhe do të vazhdojnë edhe sivjet të shijojnë shërbimet e mira dhe kualitetin që ofron ky restorant.
Smirasit që udhëheqin kompanitë turistike “KoSmira” dhe “MIGROS”, na presin për pushime në Golem. Kjo zonë po bëhet gjithnjë e më komplete dhe më atraktive për pushime të arsyeshme. Aktualisht po rregullohet edhe rruga me standarde ndërkombëtare. Tashmë sezoni turistik ka nisur. Ia vlen të vizitohet ky vend në bregdetin tonë të bukur shqiptar dhe të shijohen vlerat e bashkfshatarëve tanë që kanë krijuar atje. /T.Salihu/