Kjo këshillimore punon me familjet e ardhura në disa gjuhë: gjermane, turke, shqipe dhe boshnjake-serbo-kroate. Zakonisht në fund të vitit shkollor bëhen analiza dhe shpërblehen nxënësit më të mirë dhe arsimtari më i mirë. Mirënjohjet i ndau Elizabet Repolusk , inspektore e arsimit për shkollat fillore brenda Bashkisë së 10-të të Vjenës. Mirënjohja jepet për vitin shkollor 2010/11.
Është kjo një shenjë nderimi jo vetëm për Osmanin, por siç thotë ai vet, edhe për njerëzit e rrethit ku ka gjetur mirëkuptimin dhe rrugën e sukseseve.
“Është mirënjohje edhe për Shoqatën e Mësuesve e Prindërve Shqiptar në Vjenë, të cilën e udhëheqim bashkë me shokë e shoqe mësuese të vyera. Angazhimi im në aktivitete kulturore është i inspiruar nga ndjenja e kultivimit të së bukurës nga mërgimtarët shqiptar, në integrimin në jetën shoqërore dhe ruajtjen e identitetit kombëtar,në radhë të parë gjuhën amtare. Përpiqem të lehtësoj komunikimin në mes të prindërve, mësuesve e rrethit të fëmijëve. Ta kultivojmë tolerancën e mirëkuptimin në mes të njerëzve nga kombe të ndryshme. Kërkesat e çdo fëmijë duhet respektuar, duhet kuptuar vështirësitë e tij duke e ndihmuar në tejkalimin e tyre. Ne si pedagog e kemi detyrë respektin ndaj secilit fëmijë e prindër në kërkim rrugëdalje në hapësirat e reja të rrethit shoqëror. Porosia ime do ishte për prindërit, që mos ua mohoni fëmijëve tuaj të drejtën për të shkruar, lexuar, e mësuar gjuhën shqipe, regjistroni ata në mësimin plotësues, sepse nesër ndoshta do të jetë vonë”, ka thënë Osman Ademi.
Osman Ademi nga Smira e Vitisë, mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Migroi në Austri ku kyçet në aktivitetet kulturore. Tani mbi dhjetë vite punon mësues i gjuhës shqipe. Është kryetar i Shoqatës së Mësuesve dhe Prindërve Shqiptar me seli në Vjenë. /Hazir Mehmeti, www.bota.sot/