Mirishahe Limani – Hiler, anëtare e “Rrethit të Grave të KB”, njëherësh përfaqësuese e Kosovës në këtë ngjarje me karakter ndërkombëtar, tha se Kosova me flamurin e vet shtetëror, ndonëse ende jo anëtare e OKB-së, u prezantua në mënyrë dinjitoze si shtet. Kosovën e prezantuan këngëtarët dhe valltarët e SHKA “Ilirët” nga Lausanne, nën drejtimin e Ilir Bytyçit, kryetar i shoqatës, kurse me këtë rast u prezantuan edhe specialitetet e kuzhinës kosovare (nga kumshti e deri tek flija, byreku, sarma, bakllava etj…).
Për 60 minuta, sa i ishin rezervuar çdo komuniteti botëror, kosovarët kanë kënaqur të pranishmit me këngë e valle, me tinguj të daulleve e çiftelive, që dridhën Gjenevën. Paraqitja e kosovarëve ishte frymëzuese edhe për faktin se në vend kremtohej 133 vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe çlirimi i vendit para 12 vjetëve.
Ky manifestim u shfrytëzua edhe për lobim për njohjen e shtetit të Kosovës, pasi aty ishin të pranishëm ambasadorë dhe diplomatë të shumtë nga mbarë bota, të cilët aktualisht janë duke qëndruar në Gjenevë si pjesëmarrës të disa konferencave ndërkombëtare që po zhvillohen aty, raporton “Presheva jonë” nga Gjeneva. /koha.net/