Musa_dhe_Fevzia_320x200Muzafer Rexhepi, nuk e ka huqur as këtë të dielë terminin e rregullt të lojës së futbollit, në Qendrën sportive “Toni”, në Sadovinë të Jerlive, ani që i ka mbushur 49 vite. Ai ia kishte mësyer fushës plot vullnet, si dikur-thotë se akoma është në formë të mirë sepse ka pasion të zjarrtë për këtë sport, që nga fëmijëria.

 

“Nuk mund të jetoj pa futboll. Prej pas luftës së fundit, dy herë në javë luaj nga një orë futboll. Shum rrallë që kam munguar. Vetëm vitin e kaluar kam qenë i lënduar për disa javë dhe kam pushuar, përndryshe, nuk e lë pa luajtur. Interesant është se ky ka qenë lëndimi i vetëm më serioz, që kam pasur në karrierën time mbi 30 vjeçare. Nuk kam pasur probleme as kur kam luajtur aktivisht futboll”, thotë Muzaferi. Ai thotë se del për t`u argëtuar dhe relaksuar, zakonisht me të njëjtit njerëz dhe nuk i ndërron ekipet, sepse me ta ndihet më mirë. “Jemi shokët e njëjtë të fshatit që kemi luajtur gjatë kohë, por janë bashkuar edhe disa të ri. Dalim për qef, por ka rivalitet në lojë. Bëhet lojë e fortë. Unë kam kondicion të luajë 2 orë pandërprerë. Nuk e kam ndërmend të ndalem. Bile edhe nja pesë vjet mund të vazhdoj me këtë ritëm. Pra, unë nuk e kam lëshuar akoma frontin dhe nuk ia lë falë, as birit tim”, thotë ai duke qeshur. Mirëpo, Muzaferi duke kujtuar kohën e mëhershme, kur futbolli ka qenë shumë i zhvilluar në Smirë, thotë se tashti nuk është si dikur. “Nuk shoh gjeneratë komplete që do të përfaqësonte fshatin në mënyrë të denjë siç ishte dikur. Janë disa individë të mirë, por kjo nuk mjafton. Ka humbur ajo fryma entuziaste e këtij sporti”, thotë Muzaferi, i cili adhuron Barcelonën dhe Ajaxin, kurse Van Basteni është idhulli i tij, i të gjithakohërave.

Këtë brengë e ka edhe veterani tjetër i futbollit të Smirës Fevzi Ademi. As ai nuk është i kënaqur me nivelin e futbollit në Smirë. “E dimë që përpara turnetë në Smirë janë krahasuar me ato komunale, me nga 20 ekipe, kurse tashti nuk mund t`i bësh as 3 të tilla. Ka humbur ajo atmosferë. Ndoshta për shkak se tashti të rinjë më tepër e shikojnë futbollin, se sa që dëshirojnë ta luajnë vet. Apo ndoshta edhe interneti, telefonat dhe lojërat tjera kanë ndikuar që të ketë më pak përkushtim për futbollin”, thotë Fevziu. Edhe ai, ndonëse në moshën 48-vjeçe, është i rregullt të dielave në futboll. “Nuk ka gjasa pa dalë në lojë. Meraku i madh për këtë sport e bën të veten. Jam në gjendje të lë ndonjë punë apo obligim të shtëpisë për më vonë, por këtu nuk mungoj. Bile më ka ndodhur edhe mysafirët t`i lë në shtëpi”, thotë duke qeshur Fevziu,. Ai, njëjtë si Muzaferi, nuk dorëzohet. Beson se edhe nja pesë vite do të jetë në gjendje të luajë me këtë tempo dhe ta mbajë “frontin”.

Në këtë garniturë të lojës janë edhe futbollistë tjerë që i dhanë emër futbollit në Smirë, në kulmin e popullaritetit të këtij sporti, si Samiu, Albëri, Mentori, Reshati, Skenderi, Besimi, Tefiku, Selajdini, Bashkimi, Dauti, e të tjerë, të cilët poashtu ndonëse shumica prej tyre mbi moshën 40 vjeçe, akoma qëndrojnë mirë me kondicion dhe mundohen t`u rrinë përballë të rinjve si Mifailit, Arbenit, Arbnorit, Artonit, Ridvanit etj.

Leave A Reply