Të paktën 10 persona kanë vdekur, kurse rreth 100 të tjerë janë plagosur rëndë e lehtë në aksidentin zinxhiror që ka ndodhur sot në autostradën A19 afër qytetit Rostock, njoftojnë mediet gjermane. Ekipet e shpëtimtarëve janë duke punuar ende në nxjerrjen e shoferëve dhe udhëtarëve që diku-diku

 

kanë mbetur të ngujuar mes copave të metalit të automjeteve. Supozohet se shkak i aksidentit ka qenë një stuhi rëre, e cila ka pakësuar shikueshmërinë në rrugë, gjë që ka rezultuar me përplasje zinxhirore, me ç’rast shumë automjete janë djegur. Djegia supozohet të jetë shkaktuar nga derdhja e një materiali të ndjeshëm ndaj zjarrit që e transportonte një nga kamionët e aksidentuar. 
Në kahun për në Rostock policia ka evidencuar 17 automjete të djegura, kurse në atë për në Berlin 23 automjete, raportojnë mediet elektronike.
“Një katastrofë të tillë ende nuk e ka parë, gjithçka duket sikur një fushë me ngjyra”, tha për edicionin on-line të gazetës Bild komisari i Policisë Ivon Burand.
 Agjencia AFP ka transmetuar se në këtë aksident janë përfshirë rreth 40 automjete. /koha/

Leave A Reply