Adem dhe Hamez Jashari ecën guximshëm rrugës së luftëtarëve kombëtarë, duke ngritur si në cilësi e në sasi numrin e luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, duke ngritur cilësin e luftës çlirimtare, me çka ndryshuan rrjedhat e historisë dhe hapën një epokë të re – Epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Demonstratat e vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajten të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqen politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themelore e UÇK-së.
Adem Jashari shkoi në Shqipëri për të përsosur artin e luftës, të cilin e përvetësonte me shpejtësi të rrufeshme, dallohej nga i gjithë brezi i tij. Kur në fund të vitit 1991, në Kosovë po bëheshin arrestime të të gjithë atyre që ishin përgatitur në Shqipëri, Adem Jashari do të njoftojë çetën e tij dhe të kërkojë nga ata, që të ishin vigjilent se çdo natë armiku mund t´u trokiste te porta.
Pas luftës se 26 nëntorit 1997, në Llaushë të Re, ku mori pjesë Ademi me çetën e tij, armiku do të bëjë plane për zhdukjen e Adem Jasharit. Kjo do të ndodhë me 22 janar 1998. Një ekspeditë policore-ushtarake serbe, kishte sulmuar familjen Jashari, me qëllim që të zhdukej kjo çerdhe e rrezikshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, falë gjakftohësisë e guximit të familjes dhe ndihmes që erdhi nga çeta, armiku u tërhoq pa arritur qëllimin.
Forcat serbe, pas disfatës së 22 janarit kishin filluar përgatitjet për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesin e hershëm të 5 marsit 1998, pak ditë pasi policia armike kishte pasur një disfatë te Lisat Binak, në Likoshan. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë. UÇK-ja aso kohe i kishte mundësitë e kufizuara të sulmit e të depërtimit.
Përkundër një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e pavarësinë u hapen shtigje të reja.
Më 5 mars të vitit 1998 bashkë me komandantin legjendar Adem jashari u vranë edhe 56 anëtarë tjerë të familjes Jashari.
Sot kulla e Jasharëve është shndërruar në Kompleks Memorial, të cilin për çdo ditë e vizitojnë mijëra qytetarë nga Kosova, trojet shqiptare dhe vende tjera.
Në nderim dhe përkujtim të kësaj ngjarjeje, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës, për çdo vit , prej 5-7 mars, mbahet Manifestimi treditor përkujtimor “Epopeja e UÇK-së”, që është si një himn për këtë familje.
LAVDI komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij!