Agim-AgushiProfesorit të matematikës, nga Smira, rekordmenit të shumëfushtë të botës në  zhonglim me top,  Agim Agushi, i bëhen oferta për rekorde të reja. Me kërkesë të Klubit të Rekordeve “Saxonia” me seli në Lajpcig, së shpejti në qytetin e Tetovës do të provoj të regjistrojë një rekord botëror duke goditur topin me kokë në ecje mbi karrige të renditura njëra pas tjetrës.  Ai ka planifikuar të krijojë një hark me 200 karrige dhe të bëjë të paktën 10 xhiro duke e goditur topin me kokë.

 

Agimi synon këtë vit të sfidojë dhe  njërën nga ndërtesat më të larta në botë siç janë: Në Malajzi 88 kate, në Tajvan 102 kate, në Nju Jork 96 kate,  ndërtesa e milarderit Donalt Tramp, në  Dubai më e larta në botë 160 kate 857 metra e lartë.
Pastaj Agimi në muajin prill mendon ta rikthejë rekordin e tij të Ginisit, në goditje të topit ulur këmbëkryq, të cilin para tri vitesh ia theu një suedez.  Agimi shpreson se do të arrijë marrëveshje me RTK-në që rekordin e Ginisit ta realizoj në Kosovë. Kjo ngjarje  planifikohet të përcillet nga zyrtari i Librit të Ginisit që do të vijë nga Londra dhe të transmetohet direkt në RTK.

Ai shprehet se është i gatshëm  të përballojë me sukses këto rekorde, por i duhet më shumë përkrahje.  Rekordmeni botëror, deri tani, nuk është i kënaqur me mbështetjen që i është dhënë. Përkrahjen më të madhe e ka pasur nga familja, miqtë dhe të afërmit. Agimi, pret që në të ardhmen të ketë ndihmë më të madhe nga institucionet , sponsorët dhe shoqëria në përgjithësi.

Ndryshe, i ftuar nga Klubi i rekordeve të botës “Saxonia” me qendër në Lajpcig të Gjermanisë, nga redaksia e Librit të Ginisit dhe nga Qyteti i Cyrihut, para pak kohe ka qëndruar në Zvicër. Ai per portalin fshatismire.com ka treguar se atje, para komisionit,  nga një orë, ka demonstruar katër  rekordet e botës dhe një  të Ginisit.

Ai deri tani ka arritur disa rekorde botërore në disa disiplina. Suksesi i tij i fundit ishte më 30 maj 2010. Në ndërtesën më të lartë në Frankfurt të Gjermanisë, Kulla e Panaireve (Messe Turm), ia doli që në disiplinën ecje shkallëve të ndërtesës lartë-poshtë duke goditur topin me kokë pa ndërprerje të kalojë 5304 shkallë me kohë 1 orë 37 minuta e 5 sekonda. Agimi arriti që dy herë të ngjitet lartë dhe të zbresë poshtë shkallëve të kësaj ndërtese 60 katëshe me një lartësi 257 metra. Kjo ngjarje u përcoll nga shtëpi  të mëdha  televizive, Reuters, RTL , SAT 1, N 24. Pjesëmarrjen e Agim Agushit në këtë ngjarje të madhe sportive e ka ndihmuar edhe Departamenti i Sportit.

Rekordet tjera të Agim Agushit:

1. Goditje e topit me kokë në ecje, 15.356 km për 3:12:39 orë, 27 Tetor 2002,  në Mynih (Gjermani).

2. Goditje e topit me kokë ndërmjet dy lojtarëve, Agim Agushi dhe Bujar Ajeti, 11,111 goditje për 3:55:20 orë, 9 nëntor 2003 në Starnberg (Gjermani).

3. Goditje e topit me kokë i ulur në tokë: 4:02:01 orë, më 14 gusht 2005 në Flensburg, Gjermani (rekord i Ginisit).

4. Goditje e topit me kokë gjatë ecjes me makinë kabriolet: 7 kilometra, më 17 Gusht 2004 në Antalia (Turqi).

5. Ecje lartë e poshtë shkallëve duke goditur topin me kokë: 3896 shkallë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, më 30 maj 2009 , për 1 orë e 12 min. e 29 sekonda.

Leave A Reply