Rrjeti i edukatorëve bashkëmoshatarëve PEN, ka organizuar , sot, një sesion diskutimi me liderët në komunitet për përfaqësimin gjinor në Këshillat e Fshatrave. Kryetarët e Këshillave të Fshatrave  diskutuan  modalitetet e një përfshirje sa më të madhe të gruas në këto mekanizma.

Shqipe Gjocaj, menaxhere e projektit  “Veprojmë për barazi” që implementohet nga organizata PEN dhe që mbështetet nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se edhe pse organizata PEN, fokusin e saj e ka punën me rininë shkollore si dhe studentët, në kuadër të këtij projekti që zbatohet në disa qendra të Kosovës, ka punuar në ngritjen e kapaciteteve edhe të grave të reja që ato të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe angazhimit në komunitet.  “Nga Komuna e Vitisë kemi trajnuar rreth 30 gra të reja që kanë gatishmëri dhe potencial për t’u kyçur më aktivisht në procesin e vendimmarrjes lokale, kontributit në komunitetet si dhe në angazhime tjera që janë në interes për qytetarët”, ka thënë Gjocaj. Ajo ka theksuar se ky grup i grave të trajnuara ka gatishmërinë që të jetë pjesë aktive edhe e këshillave të fshatrave si një mekanizëm konsultativ në vendimmarrje lokale, por për këtë duhet gatishmëria edhe angazhimi i vetë kryetarëve të këshillave të fshatrave që atyre t`iu mundësohet ky angazhim. Kurse moderator i këtij takimi Tefik Salihu, ka thënë se në Komunën e Vitisë, fatkeqësisht numri i grave anëtare të këshillave të fshatrave është simbolik. Ai ka theksuar se kohëve të fundit vërehet një interesim më i shtuar i femrave në takimet publike në fshatra, por për tu arritur kuota e përfaqësimit të femrave në këta mekanizma duhet një angazhim më i shtuar i gjithë mekanizmave relevant. Përfaqësuesit e fshatrave kanë thënë se për një angazhim më të madh të këtyre mekanizmave në drejtim të gjithëpërfshirjes së femrave, duhet siguruar edhe kushte duke përfshirë edhe kompensimin material.

Leave A Reply