Fshatit Smirë i janë hapur mundësi të mira për të lidhur bashkëpunim të ngushtë me fshatrat e Kirchhain-it në Gjermani. Përfaqësuesi i fshatit Kleinsenheim të këtij rajoni njëherit këshilltar në Kircchain, Prof. Dr. Rainer Waldhardt, ligjërues në Justus Liebig University Giessen të Gjermanisë, ka mbajtur sot një takim me disa përfaqësues dhe fermerë në Smirë, të ndërmjetësuar nga Prof. Dr.Arben Mehmeti dhe kryetari në detyrë Afrim Salihu. Prof. Waldhardt, tha se do të ketë bashëpunim në disa fusha të zgjedhura për zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në fushën e furnizimit të qëndrueshëm me energji, në fushën kundër ndryshimeve klimatike dhe në ruajtjen e ekosistemit.
Sipas tij, në të ardhmen do të ketë aktivitete të shtuara dhe këmbime të vizitave për të shtyrë përpara idetë dhe për të thelluar format e bashkëpunimit dhe për të caktuar prioritetet. Ai njoftoi se pilot-projektet e para të përbashkëta në Smirë dhe Kirchhain, do të financohen nga Ministria e Bashkëunimit Ekonomik dhe Zhvillimit.
Prof. Waldhardt u shpreh i kënaqur me kapacitetet dhe burimet e Smirës që iu prezantuan si dhe me pritjen që iu bë nga të pranishmit. Ai tha se ka ardhur këtu me referencë të Prof. Arben Mehmeti. ‘Arbeni më ka folur shumë për fshatin e tij të lindjes-Smirën dhe vërtetë sot u binda se Smira qenka më shumë se një fshat’, ka thënë Prof.Waldhart.
Pronari i fabrikës për prodhimin e mishit ‘Eco Produkt’, Ramadan Rrahmani u interesua për mënyrat alternative të ngrohjes me lënd tjera djegëse. Profesori nga Gjermania tregoi se në rajonin e tij ngrohja qendrore psh. nuk bëhet me dru, por me naftë.
Fermerët dhe prodhuesit e Smirës në fund shtruan një tryezë me prodhime nga Smira.


