FC ‘Kosova’ nga Gjeneva e Zvicrës, pas fitores 6:0 kundër skuadrës së Cercedas, u kualifikuar për gjysmë finale të Kupës për kantonin e Gjenevës të njohur HelveCie Cup. E, udhëhequr nga ish-trajneri i skudrës së Ligës së parë të Kosovës “Vitia”, Ekrem Qerimi, skuadra “Kosova” në Gjenevë, me këtë rezultat tani është një hap afër kupës së Kantonit të Gjenevës, që i mundëson të garojë drejtpërdrejt në garat për kupën e shtetit të Zvicrës. Përkundër motit të ftohtë dhe me shi, djelmoshat e trajnerit Qerimi, duke pas parasysh rëndësinë që kishte ndeshja kundër Cecedas për ta, gjatë tërë lojës u angazhuan në maksimum.
Trajneri Qerimi, ka theksuar se rezultati i thellë prej 6:0, është vetëm një nga rezultatet e mira që Kosova po i arrinë gjatë këtij sezoni, pasi edhe Ligën e tretë të Kantonit të Gjenevës , kjo skuadër vetëm katër javë para përfundimit të këtij kampionati, është e para në renditjen tabelare. “Krahas kupës kemi qëllim që të fitojmë edhe kampionatin dhe të ngjitemi në një ligë më lartë”, ka thënë Qerimi.
FC Kosova e Gjenevës, është themeluar në vitin 2008 dhe përbëhet me lojtarë të të gjitha trevave shqiptare, të cilët jetojnë dhe punojnë përkohësisht në Zvicër. Selajdin Salihu, president i klubit, ka thënë se FC Kosova, pos objektivave që ka për të marrë kupën dhe titullin e kampionit të Ligës së tetë të Kantonit të Gjenevës, objektivë kryesor ka ngritjen e vazhdueshme të disiplinës dhe cilësisë në ekip, gjë që është duke e arritur.
Ai ka theksuar se reformat në këtë ekip kanë filluar para dy viteve, kur me këtë skuadër ka punuar trajneri i mirënjohur kosovar Musa Selimi dhe këtë reforma me mjeshtëri të madhe është duke i vazhduar trajneri Qerimi. (I.S)


