Kosova nesër ka festë, sepse popullata e saj do të merrë pjesë në zgjedhjet e lira dhe demokratike lokale. Qytetarët e Kosovës përmes votës së tyre do të mund të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të zgjedhin përfaqësuesit në institucionet komunale.  Dikur këtë të drejtë nuk e kemi pasur. Të paktën këtë e dinë të gjithë njerëzit me të drejtë vote në Kosovë. Prandaj mos e leni pa dalë në zgjedhje dhe mos e leni pa hedhur votën tuaj në kuti. Për kë do të votoni, e dini vet.

Por, mos e injoroni këtë të drejtë dhe mos  e nënçmoni votën tuaj. Mos e leni pa e shfrytëzuar të drejtën  për të zgjedhur njerëzit që do t`i përfaqësojnë interest tuaja në institucionet lokale. Është me rëndësi të dalim sa më shumë në votime, sepse kështu rritet konkurrenca e votës, e me këtë rritet edhe cilësia e saj dhe ka kuptim demokracia. Siç e tha një deputet ditë më parë, kur ne mundemi të organizohemi  shpesh të shkojmë në dasma apo në ndeshje sportive, pse nuk mund të organizohemi një herë në katër vjet të dalim sa më shumë në zgjedhje. Pavarësisht si ndiheni, sa jeni të kënaqur dhe çka pritni nga këto zgjedhje, dijani rëndësinë votës suaj, sepse ajo ua përcakton jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Siç tha një mik i imi 25 vjeçar i pamartuar, për katër vjet mund të martohet dhe të ketë edhe fëmijë, prandaj tha se i intereson të votojë dhe të kontribuojë (aq sa varet prej tij) për të ardhmen. Ky shembull i thjeshtë i tij por praktik, të jep të kuptosh sa e rëndësishme është zgjedhja e mandatarëve të rinj, sepse prej tyre varet mirëqenja jonë. Dhe si analogji të kësaj mund të ndërlidhim edhe shembuj tjerë. Psh, nëse sot e keni një fëmijë 2 vjet, pas katër vjetësh duhet të shkojë në shkollë, nëse e keni një fëmijë në klasën e IX, pas katër vjetësh do të jetë student. Nëse  e keni një fëmijë maturant, pas katër vjetësh do të kryejë fakultetin dhe duhet të mendojë se ku do të punojë. Prandaj dilni në zgjedhje dhe votoni, por merrni me vete edhe të gjithë anëtarët e familjes me të drejtë vote. Përndryshe, pas 3 nëntorit 2013, mos u pendoni. 

Leave A Reply