Shkruan Prof. Nazif Laçi

Pas kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP) që u mbajt më 10 qershor 1878, u morën vendime të rëndësishme dhe u hartua programi (platforma) politik dhe ushtarak për veprim. Duke parë rrezikun që po i kanosej atdheut, LSHP i dërgoi me shkrim reagimin e vet Kongresit të Berlinit, që fuqitë e mëdha dhe shtetet shoveniste të Ballkanit si: Serbia, Greqia dhe Mali i Zi, se shqiptarët do të luftojnë për formimin e shtetit shqiptar në Ballkan dhe nuk do të lejojnë coptimin e tokave të tyre.

Kryengritjet shqiptare kishin filluar menjëherë pas Kongresit të Berlinit, e në veçanti më 1910 e deri më 1912. Kryengritjet shqiptare kundër Xhonturqve të vitit 1910, 1911 dhe 1912 zënë vend të rëndësishëm në historinë kombëtare. Kryengritjet e vitit 1910 në Grykën e Kaçanikut dhe Grykën e Caralevës, të udhëhequra nga kreshnikët: Idriz Seferi dhe Isa Buletini, treguan vendosmërinë e shqiptarëve për çlirim kombëtar. Janë zhvilluar tri beteja të mëdha pas luftës së Kaçanikut që nuk janë ndriçuar sa duhet nga historia jonë kombëtare: Lufta në Drenogllavë, Lufta në Nikovc dhe lufta në malet e Smirës. Në këto luftëra u dalluan: Zukë Zuka, Sahit Gorani dhe Bajram Ahmeti ku ushtonin malet nga tytat e tyre. Për organizimin e mirë të këtyre luftërave, flet edhe fakti se komanda turke kishte angazhuar shumë ushtarë për ta shuar kryengritjen. Malet e Smirës sulmoheshin nga tri drejtime: Nga lindja sulmoi Ushtria Turke që vinte nga Gryka e Konçulit, nga jugu erdhi Ushtria Turke nga Shkupi nëpërmes maleve të Llokmës dhe nga ana e perendimi sulmohej nga Ushtria që vinte nga Ferizaj. Lufta u zhvillu te Kodra e Shatit, Livadhi i Isufit, Udha e Kuqe, Ara e Hanës etj. Në këto vende janë vrarë me qindra ushtarë turq dhe janë zënë rob 120 ushtarë, të cilët edhe janë burgosur në Xhaminë e Smirës. Në luftën e Smirës kanë marrë pjesë edhe luftëtarë nga fshatrat tjera të Moravës së Epërme, por barrën kryesore e bartnin smirakët, sepse në luftë morën pjesë i madh e i vogël. Në këtë betejë kanë ra dëshmor: Hajdar dhe Jashar Pajaziti.

Komitetet dhe shoqatat shqipare gjatë vitit 1912 kishin marrë vendim që lufta e popullit shqiptar të organizohet në dy fronte-në atë diplomatik dhe frontin ushtarak. Në takimin e Bukureshtit me 5 nëntor 1912 u mor vendim që aktivitetin diplomatik ta udhëheqë patroti Ismajl Qemal Vlora, kurse atë ushtarak ta udhëheqë gjeneral Hasan Prishtina. Kosova me trevat tjera shqiptare dhe kryeqenrën e saj Shkupin është çliruar nga sundimi Osman prej kryengritësve shqiptar.

PUSHTIMI SERB I KOSOVËS

Planet e Pansllavizmit të udhëhequra nga boshti: Moskë-Beograd-Athinë, u bë aktual pas largimit të Osmanlinjve nga Ballkani. Serbia kishte vendosur në kufirin me Kosovën mbi 200 mijë ushtarë. Ata komandoheshin nga 300 oficerë nga Evropa dhe Rusia. Popullit shqiptar iu imponua lufta nga Serbia, prandaj shqiptarët, ndonëse të rraskapitur me luftërat kundër Osmanlinjve vazhduan luftën kundër Serbisë. Veprimtari i shquar Nexhip Draga me platformën “Besa-besë” thoshte: “Duhet të dëshmojmë që të mbrohemi nga sulmet e Serbisë që nga djepi e deri nëkrroqe”.

ARADHAT  ÇETNIKE NË TERITORIN E KOSOVËS

Shtabet serbe kishin formuar katër Aradha çetnike në territorin e Kosovës: 1.Aradha çetnike e Llapit me komandant V.Tankosiqi; Aradha çetnike e Lisicës me komandant D. Sekuliqi; Aradha çetnike e Lukovës me komandant P. Bllashkariq dhe 4.Aradha çetnike e Gjilanit me udhëheqës kapitni B. Simiq. Këto njësi speciale ishin të udhëhequra nga shtabet e luftës dhe nga kreu i Kishë Serbe me porosi që mos t`ia lënë asnjë detaj rastit. Kjo do të thot t`i kenë duart e lira që të bëjnë plojë mbi popullsinë shqiptare. Në këto rrethana të rënda popullata shqiptare në Moravë të Epërme u organizua në mbrotjen e atdheut nga pushtuesi serb.

Në Smirë luftëtarëve të lirisë u prinin Zukë Zuka dhe Bajram Ahmeti, ndërsa në fshatin Gërmovë u printe Sahit Gorani. Këta tre luaj, të betuar për flamur dhe atdhe i dolën në pritë hordhive serbe në Ferizaj. Në luftën te Fusha e Varoshit morën pjesë me qindra smirak dhe gërmovas të shoqëruar edhe me vullnetarë të fshatrave tjera siç janë: Kabashi, Lubishta, Skifteraj, Pozhorani, Remniku, Mogilla, Sllatina, Goshica, Vërbani, Tresteniku, Sadovina etj.

Më 24, 25 dhe 26 tetor 1912, luftëtarët e lirisë nga Morava e Epërme zhvilluan luftë të ashër kundër njësiteve çetnike të Serbisë te Fusha e Varoshit afër Ferizajt. Në këtë fushbetejë u bashkuan vullnetarët e luftës nga Morava e Epërme dhe vullnetarë nga rrethi i Kaçanikut dhe Neredimes. Në këtë luftë të pabarabartë, trimat e lirisë kishin bindjen dhe ishin betuar se me shkaun duhet luftuar fytafyt, se shpina shkaut nuk bën t`i kthehet. Pa dyshim se Zuka, Sahiti dhe Bajrami këtu vepruan, luftuan burrërisht deri në fishekun e fundit kundër çetnikëve të Serbisë dhe në fushëbetejë mbetën me qindra çetnikë të vrarë e në mesin e tyre edhe dy oficerët e lartë, Bozhidar Jankoviqi dhe Uroshoviqi. Në shenjë hakmarrje ushtria serbe masakroi me qindra veta në këto fshatra:

Në Smirë 83 veta, Goshicë 58 veta, Komogllavë 68 veta, Kbash 73 veta, Lubishtë 89 veta, Mogillë 13 veta,Trestenik 56 veta etj. Në fshati Smirë ushtria serbe ka hyrë prej Goshicës në Lagjen e Aliajve dhe ka vazhduar nëpër lagje tjera duke arrestuar njerëzit e pafajshëm dhe të gjithë i ka rreshtur dhe i ka dërguar te vendi i Bjeshkallavës dhe në prrockë të saj i ka rreshtuar e nga distanca i ka pushkatuar dhe pastaj ju kanë afruar secilit e i kanë shpërthyer me bajoneta që asnjë mos të mbetet i gjallë. Prej këtyre 83 vetave katër kanë qenë mysafir, kurse të tjerë smirak, prej tyre kanë shpëtuar Mustafë Ramadani dhe Hazir Beqiri që me shumë plagë janë shëruar.

Tani pas 100 viteve po i ngriten lapidarët madhështor në shenjë respekti dhe kujtimi për ta. Historia, që të mos përsëritet, duhet të ruhet dhe kultivohet ndër breza.

Leave A Reply