Shoqata Kombëtare “Bashkimi Kombëtar”, me seli në Annecy të Francës, në prag të Festës së Kurban Bajramit, dhuron ndihma në pako ushqimore për familjet në nevojë. Sipas kryetarit të shoqatës, Zahir Sinani, ndihmat këtë here po shpërndahen në Viti, Shkup, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik dhe Ferizaj.
Ai tha se ky është viti i tretë që po realizohet një aksion i tillë humanitar. “Para dy vitesh kemi mbuluar Kaçanikun, Vitinë, Ferizajn dhe Podujevën. Vitin e kaluar kemi dhënë në Kamenicë, Gjilan, Han të Elezit, Lipjan, Shtime”, ka thënë Sinani.
Ai ka shtuar se ky nuk është aktiviteti i vetëm i shoqatës të cilën ai e drejton. “Ne jemi themeluar në vitin 2012 në Annecy të Francës dhe deri tani kemi organizuar tubime, festa, koncerte, manifestime, turne në futboll etj. Mirëpo, ne kemi ndihmuar me mjete higjienike dhe ushqime edhe refugjatët që kanë qenë të vendosur në tenda në Annecy. Përveç kësaj, kemi bërë edhe organizimin e transportit të kufomave për në Kosovë për rastet e që kanë pasur nevojë. Edhe para dy vitesh kemi kontrbibuar me mjete financiare për të sanuar dëmet e vërshimeve në Hasan Beg të Shkupit”, ka thënë Sinani.
Ai ka falënderuar të gjithë që kanë dhuruar mjete financiare për këtë aksion dhe ka shtuar se ndihmat do t`i vazhdojnë edhe në të ardhmen.


