Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me rastin e vdekjes së ish-deputetit të parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Ismet Ferizaj, përmes një telegrami ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe opinionin e gjerë.
“Me keqardhje të madhe morëm lajmin për vdekjen e njërit nga pishtarët e demokracisë në Shqipëri, z.Ismet Ferizaj. Me këtë rast ju shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare nga Smira e Vitisë, z. Ferizaj. Ai do të mbahet mend si një veprimtar i dalluar për synimet tona kombëtare jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri pasi që nga viti 1960 ai u shpërngul në shtetin amë. Ndonëse ai nuk gjendët më në mesin tonë puna dhe përkushtimi i tij për arsimin kanë lënë mbresa në shumë gjenerata të cilat i ka mësuar në vatrat e dijes. Deputeti Ferizaj ka qenë dhe do të mbetet figurë emblematike e përpjekjeve tona të përbashkëta për përparim të përgjithshëm të shoqërisë sonë”, u shpreh ndër tjerash kryetari Haliti në telegramin e ngushëllimit të tij.


