Këshilli Bashkiak i Kavajës, i ka akorduar smirasit Ismet Ferizajt titullin “Qytetar Nderi”. Në këtë aktivitet të përbashket për të nderuar figurën e z. Ismet Ferizaj, ishte edhe kryetari i Komunës se Vitisë z. Sokol Haliti dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira, pastaj Dr. Shefki Hysa përfaqësues i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, kryetari i Shoqates “Smira Dardane”, Zijadin Sylejmani, drejtori i shkolles se Smires, Xhavit Sahiti si dhe përfaqësues nga fshati Smirë. Kryetari i Bashkisë, Isa Sukja, i dhuroi certifikatën “Qytetar Nderi”, ndërsa përfaqësuesi i trupës Diplomatike për Paqe dhe Prosperitet, Dr. Hysa, i akordoi titullin “Ambasador i Paqes”. Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, në një fjalë rasti, foli për personalitetin dhe veprimtarinë e pasur të Ismet Ferizajt. Me këtë rast, poashtu, u tha se qyteti i Kavajës është krenar për figurat e ndritura që ka nxjerre ndër vite.
Ismet Ferizaj, për shkak të angazhimeve të tij në lëvizjet e kohës për çlirim të Kosovës, në vitin 1960 u arratis nga Smira, në Shqipëri, ku për një kohë qëndroi në kampin e përqëndrimit në Lushnje. Gjatë kohës së komunizmit në këtë vend fillimisht punoi si mësues në Krujë e Kavajë, profesion të cilin e ndërpreu shkaku i masës së internimit nga regjimi komunist. Me të filluar erërat e demokracisë në Shqipëri, Ferizaj u kyç aktivisht në politikë dhe në dhjetor të vitit 1990 themeloi degën e Partisë Demokratike në Kavajë. Në zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri të vitit 1991, Ferizaj , zgjedhet deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Pozitë të cilën e fitoi edhe për mandatin katër vjeçar me zgjedhjet e vitit 1992, kur zgjedhet deputet i zonës së Fierit nga lista e PD-së. Ai megjithëse qe një kohë të gjatë jeton në Kavajë, shpesh herë ka ardhur në Smirë duke u munduar ta kompensojë kohën sa ishte larg vendlindjes.


