Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj kanë nënshkruar marrëveshje për rivitalizimin e lumit “Morava e Binçës”. Ministrja Reshitaj e cilësoi si një projekt kapital shumë të rëndësishëm dhe jetik jo vetëm për Vitinë, por në përgjithësi për këtë anë. “Kjo marrëveshje nënkupton bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti gjigant që do të zgjasë tri vite dhe kap shumë 1.450.000 euro. Për këtë vit janë ndarë 400.00 euro, ndërkohë që në dy vitet e ardhshme do të ndahet edhe shuma tjetër e caktuar, në mënyrë që brenda periudhës tre vjeçare të rrumbullakoset i tërë projekti ashtu siç edhe parashihet”, ka thënë ministrja Reshitaj.  Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se ky është një projekt i shumë pritur për banorët e kësaj komune. “Kjo zonë është ballafaquar me dëme marramendëse ekonomike e bujqësore me vite të tëra, për shkak të vërshimeve që kanë përfshirë këtë pjesë. Vitia është e nderuar që sot është nënshkruar kjo marrëveshje dhe e falënderojmë ministren Reshitaj për punën e mirë që është duke e bërë. Ne kemi filluar me pak mjete që të bëjmë pastrimin e lumit Morava por që nuk kemi pasur mundësi që ky projekt të realizohet në plotëni, karshi nevojave që kërkohen për rivitalizim. Prandaj, me projektin në fjalë, do të arrijmë që ta zgjidhim një herë e përgjithmonë, çështjen e problemit të Moravës”, ka thënë Haliti.

Leave A Reply