Edhe pse jemi mësuar që Kina të jetë shteti ku njerëzit ecin me maska në fytyrë për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur, për këtë nuk po ia lëshon udhën as Kosova. Madje mbrëmë (8 dhjetor), Kosova është renditur në vendin e parë në botë sa i përket ndotjes. E mjekët kosovarë janë duke alarmuar mbi rrezikshmërinë e kësaj. Sipas tyre, qytetarët rrezikohen ta marrin kancerin e shumë sëmundje të tjera prej kësaj ndotjeje.
Kosovarët tash e një javë po ballafaqohen me ndotje ekstreme të ajrit, duke tejkaluar kështu 300 herë mesataren e ndotjes së lejuar. Kjo sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane ku thuhet se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales dhe më 8 janar 2018 ka arritur vlerat maksimale 360 AQI.
E disa vende në Kosovë që dy ditë janë të mbuluara nga mjegulla. Ndotja dhe krijimi i kësaj pamjeje, vjen nga faktorë të ndryshëm si termocentralet, djegia e thëngjillit për ngrohje, e automjetet. E kjo është duke i alarmuar mjekët kosovarë. Kjo ngase kjo ndotje mund të sjellë disa sëmundje në organizmin e njeriut.
Gazeta Express, për këtë punë të martën ka biseduar me mjekun e QKUK’së, Skënder Bacën i cili është specialist pulmolog-specialist i sëmundjeve të mushkërive. Sipas tij, kjo ndotje paraqet rrezikshmëri tek qytetarët e vendit.
“Sëmundjet që mund t’i sjellë ndotja e ajrit në Kosovë janë asma bronkiale dhe kanceri bronkial i cili ka lidhshmëri të drejtpërdrejtë me duhanin dhe ndotjen e ambientit”, thotë doktori.
Tutje ai shpjegon se cilat janë shtresat më të rrezikuara nga kjo ndotje.
“Kjo ndotje e ajrit ndikon në eksacerbimin, përkeqësimin, ripërtëritjen e episodeve të sëmundjet kronike ebstroktive që ndryshe quhet bronhiti kronik. Mirëpo fatkeqësia jonë është që popullata pi shumë duhan dhe përkeqësohet gjendja edhe me ndotjen e ajrit. Për shembull një pacient që pi duhan dhe i nënshtrohet kësaj ndotje kalon shumë më vështirë”, shpjegon ai.
Për cilësinë e ajrit në Kosovë sot gjatë ditës ka alarmuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë. IKSHP thotë se në sezonin e dimrit qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej. /GazetaExpress/


