Në komunën e Vitisë, së shpejti mund të ndërtohet fusha ndihmëse për klubet të cilat janë në Superligën e Kosovës. Kjo u bë me dije pas një takimi tre palëshe në mes të Kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe të Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi. Vlera e këtij projekti është 250 mijë euro, 120 mijë euro do të investohen nga FFK-ja (Federata e Futbollit të Kosovës) kurse me 100 mijë euro do të participojë MKRS-ja. Komuna do të investojë 30 mijë euro.

Pas këtij takimi kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se përmes këtij investimi të rëndësishëm do të krijohen hapësira të mjaftueshme për futbollistët vitias me qëllim që ata të kenë ku të stërviten dhe të tregojnë talentin e tyre. “Sot është një ditë e veçantë për futbollistet vitias, pasi u pajtuam të tri palët për ndërtimin e fushës ndihmëse. Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për ta pasi që përmes tij për futbollistët tanë po krijohen hapësira të mirëfillta për të stërvitur që të jenë sa më të përgatitur”, u shpreh kryetari Haliti. /rajonipress/

Leave A Reply