Këtë vit në Kosovë ka pasur epidemi fruthi. Që nga muaji qershor prej që është paraqitur ky virus, ka prekur 1,005 persona ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë, Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës infektive, sipas të cilit të prekurit nga ky virus, janë kryesisht fëmijë, por që është përhapur edhe te të rriturit dhe ka prekur moshat deri në 50 vjeç.
“Dy raste që janë në trajtim në Klinikën infektive, janë mjaft të rënda. Gjatë këtyre muajve prej kur është paraqitur sëmundja, dy raste kanë përfunduar me fatalitet. Kapacitetet tona kanë qenë në nivel, si me ilaçe, po ashtu edhe me staf profesional, pavarësisht rasteve të shumta që ka prekur ky virus”, tha Ramadani.
Infektologët në vend thonë se për 16 vjet me radhë nuk ishin paraqitur raste me fruth në Kosovë, deri në muajin mars të këtij viti, kur kishte filluar të përhapet virusi.
Kjo për shkak se Kosova ka një mbulueshmëri me vaksinim me mbi 95 për qind të popullatës.


