Avokati i Popullit, Hilmi Jashari solli para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut të gjeturat dhe rekomandimet e institucionit që përfaqëson në lidhje me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.
“Konfirmojnë se rryma elektrike e shpenzuar në veri inkasohet nga qytetarët e pjesës tjetër të vendit dhe vlera është tetë milion euro kjo është shkresë zyrtare e dhënë nga Zyra e Rregullarrit të Energjisë. Në pyetjen pse është ushtruar e pse është zgjedh kjo metodë për më t’i mbuluar shpenzimet e veriut na është thënë se po të mos kishte ndodh kjo KEDS do të bankrotonte si kompani në vend do të shkaktohej krizë energjetike dhe me fjalë të tjera kishim pas një kolaps energjetik në vend”, ka thënë Jashari.
Ai kujtoi se më pas gjykata themelore urdhëroi suspendimin e vendimit të ZRRE-së të vitit 2012, deri në shqyrtim të dëmit që u është shkaktuar qytetarëve duke u inkasuar borxh për energji të pa shpenzuar.
Jashari tregoi se ky ngarkim i qytetarëve tjerë të vendit me rrymën e shpenzuar në veri është në kundërshtim me Ligjin Kundër Diskriminimit, Ligjin për Konsumatorët, Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore.


