Kosova rrezikon të hyjë në një kolaps të thellë energjetik dhe rritje të madhe të faturave nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë për të zhbllokuar vazhdimin e mihjes drejt Shipitullës dhe Hades, raporton KTV.
Madje të dhënat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) flasin për rritje të çmimit të energjisë deri në 18.7%. Këto komente kanë dalë në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ku është diskutuar për situatën energjetike në vend, me një theks të veçantë për pjesën në veri të vendit.
Anëtarët e bordit të ZRRE-së kanë thënë të jenë ankuar ndaj vendimit të gjykatës rreth pezullimit të pagesës për energjinë e shpenzuar në veri dhe se një hap i tillë do të shkaktonte probleme të mëdha në sistemin energjetik dhe se ketë çështje e kanë diskutuar me institucionet.
Mirëpo, kanë pranuar se asnjëherë kjo zyrë nuk i ka njoftuar qytetarët që po e paguajnë edhe rrymën e shpenzuar në veri.
Një debat i gjatë për çështjen e energjisë në veri është mbajtur në komisionin për të drejtat e njeriut, ku ka raportuar avokati i popullit, Hilmi Jashari. Jashari ka thënë se me vendimet e marra janë shkelur 4 ligje, ndërsa ka bërë të ditur se ZRRE-ja bashkë me KEDS-in po vazhdojnë të ankohen për përfundimet e nxjerra nga raporti i tyre. Deputetët në këtë komision janë interesuar nëse ka pasur marrëveshje të fshehtë, por Jashari ka bërë të ditur se me këtë pjesë nuk janë marrë ata në këtë raport, por që për këtë çështje do të merret gjykata.


