Rreth 8 mijë banorë të fshatrave Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Sadovinë e Çerkezëve, Sadovinë e Jerlive dhe Tërstenik, janë bërë me ujësjellës. Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari i komunës Sokol Haliti tha se projekti i ujësjellësi për 5 fshatrat e kësaj ane është ndër më të rëndësishmit të finalizuar së fundmi nga qeveria komunale, pasi është zgjidhur problemi i ujit të pijes për mbi 8 mijë banorë të kësaj zone. Ai ka thënë se qeveria komunale në Viti, gjatë këtij mandati qeverisës krahas këtij projekti, i ka dhënë rëndësi të madhe edhe realizimit të projekteve tjera që lehtësojnë jetën e qytetarëve. “Në saje të mjeteve nga të hyrat vetanake, nga grandet qeveritare dhe bashkëpunimi me donatorë të ndryshëm, vetëm gjatë kësaj periudhe të vitit 2016, kemi realizuar rreth 100 projekte të ndryshme si rregullim të ujësjellësve, rregullim të rrjeteve të kanalizimeve, asfaltime të rrugëve, ndërtimin dhe renovimin e shkollave të ndryshme, rregullimin e fushave sportive, renovimin e rrugëve të arave si dhe projekte tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, kulturës , sportit , arsimit , shëndetësisë etj.
Zëvendësdrejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Bernhard Soland, ka thënë se qeveria zvicerane është e interesuar që përmes ndihmës së drejtpërdrejtë në projekte të ndryshme të përmirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë. Ndërsa zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj –Gashi, ka thënë se në saje të bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me komunat dhe donatorë të ndryshëm është punuar shumë në sektorin e ujërave dhe kanalizimeve “Në sektorin e ujit dhe kanalizimeve gjatë këtyre viteve ka pasur investime të konsiderueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës, nga komunat si dhe donatorët e ndryshëm si Zyra Zvicrane për Bashkëpunim në Kosovë, Banka Botërore, USAID, Banka Gjermane për Zhvillim, Qeveria e Luksemburgut etj.”, ka thënë zëvendësministrja Gashi.
Ky projekt që kap shumën prej rreth 740 mijë eurove, u realizua nga të hyrat vetanake të Komunës së Vitisë dhe në mbështetje të Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë si dhe Qeverisë së Kosovës. Ndërkaq kompania rajonale për ujësjellës “Hidromorava” , do të ketë nën mbikëqyrje dhe të menaxhojë me sistemin e ujësjellësit në pesë lokalitete përfituese. Kështu që u kërkua nga banorët që të jenë të rregullt në kryerjen e obligimeve ndaj saj, në mënyrë që furnizimi me ujë të jetë i rregullt dhe pa defekte. /PlusTv/


