Përfaqësues të partive politike, shoqërise civile, autoritete fetare e aktivistë vitias, kanë diskutuar mundësitë për t’u lidhur në Gërlicë me autostradën Prishtinë- Shkup.
Salih Salihu, deputet në Kuvendin e Kosovës, pasi ka theksuar nevojën për çasje sa më të afërt për banorët e Vitisë në autostradë, ka thënë se duhet të gjendet një formë që të shprehim kërkesën tonë drejtuar institucioneve shtetërore. “Kyçja sa më e afërt në autostradë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët e Komunës së Vitisë. Kjo ka qenë dashur të inicohet nga qeverisja lokale, por pasi kjo nuk ka ndodhur atëherë ne duhet të marrim një iniciativë të tillë”, ka thënë ai.
Salihu, ka propozuar që të nënshkruhet një peticion me kërkesën për krijimin e mundësisë për çasje në autostradë në Gërlicë. Ai gjithashtu ka kritikuar mosangazhimin e institucioneve komunale për të trajtuar këtë temë me institucionet qendrore.
Iniciativën për të të kërkuar çasje në autostradë, e ka përkrahur edhe Daut Xhemajli nga NISMA për Kosovën. Ai ka kërkuar që në këto takime të jenë prezent edhe përfaqësues të institucioneve komunale. Xhemajli ka propozuar që një grup të përfaqësuesve të zhvillojnë një takim me udhëhqësit komunalë si dhe në mbledhjen e ardhshme kjo të diskutohet edhe në asamblenë komunale.
Iniciativën e kanë përshëndetur dhe përkrahur edhe udhëheqësit e bashkësive fetare në komunën e Vitisë.
Në takim nga ekspert të lëmisë përkatëse janë prezantuar me foto dhe plan konkret edhe mundësitë që mund të ofrojnë zgjidhje për çasje sa më të afërt në autostradë. Sipas projektit qytetarët vitias me autostradën Prishtinë- Shkup mund të lidhen tek Sojeva në Ferozaj apo tek Fusha e Pajtimit në Kaçanik. /RtvIliria/


