Nxënësit vitias të cilët vijojnë mësimin në shkollat fillore “Dëshmorët e Vitisë“ dhe “Bafti Haxhiu”, tani e tutje do të kenë mundësinë të konsumojnë ushqim të freskët dhe cilësor. Këto dy shkolla janë bërë me të gjitha pajisjet e kuzhinës, falë projektit të përbashkët të IADK-së dhe Komunës së Vitisë. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Halit porositi gratë të cilët do të përgatisin ushqimin që të kenë kujdes të shtuar, konkretisht në mbajtjen e higjienës në kuzhinë për të mirën e nxënësve. “ Nxënësve tanë do t’ju ofrohet ushqim i freskët dhe cilësor, andaj kërkoj nga ju që të keni kujdes në mbajtjen e higjienës. Unë falënderoj në veçanti IADK-në për realizimin e këtij projekti i cili është në interes të veçantë për nxënësit tanë,“ u shpreh kryetari Haliti. Zenel Bunjaku, përfaqësues i IADK-së, tha se kjo punë është realizuar në Viti, falë nismës së kryetarit Haliti që IADK të punojë në këtë komunë. “Kemi pasur një bashkëpunim të mirë me kryetarin dhe gjithë ekipin e tij. Duhet të përmendet se pa këtë bashkëpunim nuk do të kishte qenë e mundur të hapen këto dy kuzhina. Po ashtu jemi të bindur se do të vazhdojmë këtë bashkëpunim të mirë si me kryetarin Haliti pasi që kemi gjetur një gjuhë të përbashkët që të ndihmojmë Vitinë dhe të hapin vende të reja të punës”, u shpreh Bunjaku. Përndryshe në këto dy kuzhina do të jenë të angazhuara gjithsej 8 gra të shoqatës “ Gratë e Beguncës” dhe “Gjelbina”.


