Ka ndëruar jetë në moshën 82 vjeçare, në Gërmovë të Vitisë, veteran i arsimit dhe sportit në komunën e Vitisë, Xhevat Bekteshi.
Ai ka lindur në vitin 1934 në fshatin Plavë të Opojës, Komuna e Dragashit. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin Buqë dhe në Dragash, vazhdoi shkollimin në Shkollën e Mesme Normale në Gjakovë. Në këtë kohë Xhevati ishte mjaft aktiv në sport, kurse volejbollin e donte në veçanti. Pas shtypjes dhe padrejtësive që pushteti I atëhershëm u bënte shqiptarëve që ndiqnin shkollimin dhe familjarëve të tyre, Xhevati pas kryerjes së vitit të parë, u largua nga Shkolla Normale dhe u detyrua të shkojë në Vranjë, ku punonin vëllezërit e tij. Në fund të vitit 1953 e tërë familja largohet nga vendlindja dhe vendoset në fshatin Gërmovë të Vitisë. Më vonë edhe Xhevati i bashkohet familjes. Në vitin 1954 pranohet në punë si drejtor i Shkollës Fillore 6 klasëshe në fshatin Lubishtë të Vitisë. Në këtë kohë pas kryerjes së orarit të rregullt të rregullt të punës, ai vazhdonte aktivitetin në sport, konkretisht në volejboll. Ishte shqiptari i parë që kishte filluar me mësimin dhe kultivimin e volejbollit në komunën e Vitisë. Pas inkuadrimit të disa të rinjve arrihet të formohet klubi i volejbollit me emrin “Moravac”. Pastaj i vazhdoi punën si mësues në fshatra të ndryshme të Vitisë. Gjatë periudhës 1959-1961 ishte i përcjellur dhe i akuzuar për vepra ‘armiqësore’ e që në vitin 1962 me aprovimin e Ligjit për Amnisti lirohet nga dënimi me burg. Pastaj mbaron Fakultetin Juridik. Në ndërkohë kishte kryer trajnimet për refer të futbollit dhe fitoi të drejtën për referim. Në vazhdimësi referoi në komunë e rajon brenda Kosovës. Prof. Hasan Hasani në librin e tij “Zhvillimi i Kulturës Fizike në Viti”, ka shkruar se Xhevat Bekteshi dhe të gjithë ata që kontribuan dhe ndikuan në afirmimin e sportit kosovar në përgjithësi do të mbesin të paharruar për të rinjtë tanë, kurse kontributi i tyre është vepër e përhershme pasi ata sollën shenjat e para të aktiviteteve sportive.

4 Komente

Leave A Reply