Përfaqësuesit e institucioneve , shoqatave dhe organizatave jo qeveritare të komunave Viti dhe Likovë e Maqedonisë, për dy ditë më radhë kanë zhvilluar trajnimin e përbashkët rreth qëndrueshmërisë së shërbimeve apo produkteve të trashëgimisë kulturore në rajonet ndërkufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ky trajnim që u organizua në kuadër të projektit të përbashkët për bashkëpunim ndërkufitar “Kultura në Aksion” (Culture in action), i cili implementohet nga Komuna e Vitisë dhe ajo e Likovës dhe që financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian, krahas ngritjes së kapaciteteve të pjesëmarrësve në lëmin e trashëgimisë, kishte për qëllim edhe identifikimin e objekteve, manifestimeve dhe aktiviteteve tjera të përbashkëta mes dy komunave këndej dhe andej kufirit. Kaltrina Sylejmani, drejtoreshë për kulturë rini e sport , ka thënë se projekti për bashkëpunim ndërkufitar ka përkrahjen e fuqishme të dy komunave pasi është në interes të zhvillimit të këtyre zonave si dhe në promovimin e trashëgimisë kulturore që posedojnë këto zona. Ajo ka thënë se krahas aktiviteteve dhe manifestimeve të deritanishme që organizohen në Viti , në të ardhmen planifikohen edhe aktivitete tjera në fushën e trashëgimisë në mes dy komunave. Kurse profesori dhe ligjëruesi në këtë trajnimin, Halil Bajrami, ka thënë se të dy komunat si Vitia ashtu edhe Likova, kanë një potencial të pakrahasueshëm të trashëgimisë kulturore e cila mund të hyjë në funksion të zhvillimit të këtyre zonave. Ai ka thënë se është me rëndësi të madhe që në të ardhmen të përgatitët një kalendar i aktiviteteve të përbashkëta mbi bazën e së cilit këto komuna do të promovojnë vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore e historike si dhe natyrore jo vetëm tek njëra tjetra por edhe më gjerë. (Ibrahim S.)


