Me ndezjen e flakadanit në sheshin Nijazi Azemi në Viti, ka nisur manifestimi tradicional mbarëkombëtar kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2016”, i cili i kushtohet dëshmorit Njazi Azemi, i njohur në luftë si komandant ‘Mjekrra’.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes solemne, ishin përfaqësues Institucional, udhëheqës të komunës së Bujanovcit, nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, UÇPMB-së, si dhe artistë, piktor, shkrimtar dhe mysafirë të shumtë. Manifestimin e sivjetmë të “Flakadanit të Karadakut” e shpalli të hapur kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Ai ka theksuar rëndësinë e madhe që ka kjo ngjarje e cila nderon veprën e komandant ‘Mjekrës’, por edhe gjithë dëshmorët që dhanë jetën për liri. “Që sonte po dëshmohet madhështia e këtij manifestimi. Këtë po e bënë prezenca e juaj e cila po nderon edhe veprën e komandantit Nijazi Azemi, po nderon dëshmorët, por edhe gjithë shqiptarinë. Realisht edhe manifestimi ‘Falakadani i Karadakut’, na nderon si komunë ku për 6 ditë me radhë do të zhvillohen një varg aktivitetesh kulturore e sportive në të cilin marrin pjesë vëllezërit dhe motrat tona nga anë e mbanë trojeve shqiptare. Uroj që ky flakadan të shërbej si një udhërrëfyes për të gjithë he të na e kujtoj veprën por edhe amanetin e atyre që u flijuan që ne sot të jemi të lirë”, u shpreh kryetari Haliti.
Ndezjen e Flakadanit të sivjetmë e bënë kryetari Haliti, kryetari i komunës së Bujanovcit Nagip Arifi, baba i komandant “Mjekrës” Ramush Azemi, drejtoresha për kulturë Kaltrina Sylejmani dhe kryetari i OVL-së në Viti Avdyl Bajrami. Më pas është hapur ekspozita e artistëve nga komuna të ndryshme, e cila do të jetë e hapur për shikuesit në Galerinë e arteve në Viti.
Në kuadër të Manifestimit tradicional kulturor e sportiv “Flakadani i Karadakut 2016”, edhe sivjet do mbahen garat rajonale të recitatorëve, ora e madhe letrare dhe tri netët e festivalit gjithëkombëtar të ansambleve dhe shoqërive artistike nga gjitha trevat shqiptare. Kurse në sport do të ketë gara në futboll, shah, ping pong dhe boks.
Gjithë manifestimin e kanë mbështetur Komuna e Vitisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës, Drejtoria e Kuturës, Rinisë dhe Sportit në Viti.
Flakadani i Karadakut mbahet në nderim dhe pëkujtim të jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit Njazi Azemi i njohur në luftë si komandant ‘Mjekrra’, i cili ra dëshmor në përballje me forcat ushtarake-policore serbe, në Stanoc të Preshevës në vitin 2001, si zëvendës komandant i Zonës Operative të UÇPMB-së. /rajonipress/


