Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, nё njё tubim të përbashkët sot në Viti, kanё ftuar qytetarët vitias për pjesëmarrje në protestën e 17 shkurtit në Prishtinë.
Në këtë takim folën Albin Kurti, Sali Salihu, Ahmet Isufi, Xhevat Bislimi, Selvije Rexhepi, dhe Afrim Salihu, të cilët para të pranishmëve duke potencuar rëndësinë e protestës, kanë afirmuar fuqishëm vendosmërinë e opozitës së bashkuar për të kundërshtuar hapur dy marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi, të cilat sipas tyre kërcënojnë sovranitetin e shtetit.
Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Albin Kurti foli për rëndësinë vendimtare të protestës së radhës dhe ka ftuar të gjithë qytetarët vitias të marrin pjesë masovishtë në protestën e 17 shkurtit, në të cilën do te kërkohet edhe dorëheqja e Qeverisë së tanishme.
“Nëse qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë një arsye që të protestojnë, qytetarët vitias kanë dyfish më shumë arsye për të protestuar, sepse qytetarëve të kësaj ane të Kosovës u është bërë padrejtësi e madhe nga Plani i Ahtisarit kur është vendosur Komuna e Kllokotit, e cila ka copëtuar Komunën e Vitisë dhe prandaj duhet sa më shumë të jenë të angazhuar për të mbështetur aksionin e opozitës”, deklaroi Kurti.
U bë e ditur se qytetarët interesuar tё Komunës së Vitisë për në Prishtinë mё 17 shkurt, do tё mund tё shkojnё nё mёnyrё tё organizuar. Nisja do tё bёhet nё orёn 11:00, nga sheshi i qytetit të Vitisë. /PlusTv/



1 Koment
kjo nuk ka kurr fare rëndsie se populli nuk fiton as gja vetum ata në krye mendojn per gjepin e vet se jo per popull e as per kosoven.