Një delegacion i nxënësve të shkollës fillore “Dëshmorët e 5 Prillit” të fshatit Smirë, janë pritur në një takim nga i pari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti. Njiherit në këtë takim, nxënësit realizuan edhe një intervistë të përbashkët me kryetarin Haliti, për botim në Revistën shkollore “Jehona” e cila është në përgatitje për botim të numrit të dytë. Nxënësit por edhe personeli i shkollës, kanë falënderuar Institucionet komunale, përkatësisht Drejtorinë për Kulturë Rini e Sport në Viti, për mbështetjen financiare të botimit të revistës së numrit të parë, ndërkohë që premtuan se do të vazhdojnë me një përkushtim të shtuar të punojnë në numrat vijues, duke i ofruar nxënësve të kësaj shkolle informacione por edhe promovimin e rezultateve të tyre. Kryetari Haliti me këtë rast ka thënë se Institucionet komunale janë të përkushtuara për të inkurajuar dhe mbështetur iniciativat e tilla, që kanë për qëllim ngritjen e cilësisë në procesin mësimor, por edhe ka përmendur edhe mbështetjen e vazhdueshme që komuna në bashkëpunim me donator ka dhënë në përkrahjen e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme në sigurimin e bursave. Në këtë takim, kryetari Haliti iu përgjigj edhe pyetjeve të nxënësve që i parashtruan rreth punës dhe aktiviteteve komunale. /plus televizion/.