Klubi Rotarian- Cornwall, Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Klubin Rotarian nga Vitia i ka dhuruar Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti një auto-ambulancë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti së bashku me Drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Basri Aliu dhe Drejtorin e QKMF-së, Xhemajl Arapi, kanë pritur në takim përfaqësuesit e këtij klubi, duke i falënderuar rotarianët për këtë donacion, duke besuar se me të do të rritet efikasiteti në shërbimet e shpejta mjekësore.
Përfaqësuesit e Rotary Club of Lostwithel, të përbërë nga David Dnkky, Nick Warrick dhe Cliue Littleton theksuan se ka shumë njerëz të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë njerëzve të tjerë në nevojë, duke potencuar se ky donacion ka ardhur nga shpirti i njerëzve vullnet mirë. Z. Littelton deklaroi se është kënaqësi e veçantë për rotarinët britanik të ndihmojnë qytetarët e Vitisë dhe Kosovës. Ata thanë se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me rotarianët vitias, në të mirën e qytetarëve të këtij lokaliteti.
Kryetari i Klubit Rotary në Viti, Mentor Rexhepi, u zotua se klubi nga Vitia, në bashkëpunim me klubet tjera nga Kosova por edhe klubet tjera si motra nëpër botë, do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Komunës së Vitisë për një jetë më të mirë.
1 Koment
Shume mire, faleminderit Rotary Club. Shpresoj te perdoret sa me pak, d.m.th te mos kete shume raste qe do te kene nevoje per te.