Është lëshuar sot në punë objekti i ri i Shkollës së Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, investim i Ministrisë së Arsimit. Nxënësit dhe personeli i kësaj shkolle, ishin përballur për vite me radhë me kushte të vështira për të mësimit. Në një solemnitet rasti u tha se hapësirat e reja të shkollës do të krijojnë mundësi për rritjen e cilësisë arsimore në këtë institucion.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka theksuar se me këtë projekt po kompletohet infrastruktura shkollore në komunën e Vitisë dhe në këtë mënyrë po krijohen kushte më të mira për punë dhe mësim.  “Vërtet kjo na gëzon për faktin se hapësira shkollore dhe ambientet e tilla me kabinete të pasura, me mjete konkretizimi, me ambient të shkëlqyeshëm brenda dhe jashtë, me qendra sportive rekreative që i kanë munguar Vitisë. Kjo është një risi, një mrekulli ta quaja, me standarde evropiane”, ka thënë Haliti. Ai tha më tutje se do të vazhdohet edhe me përurimin e projekte të tjera shkollore, në Ballancë, Sadovinë të Çerkezëve. Poashtu ka filluar ndërtimi i shkollës në Beguncë dhe së shpejti do të nisë edhe shkolla fillore në Pozheran.

Drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu”, Njazi Lutfiu, u shpreh se përurimi i objektit të shkollës së re, është një moment që nuk do të harrohet asnjëherë. Sipas tij, e kaluara dhe e tanishmja na bënë t`i kujtojmë dy ambiente mësimi me dallime të pa përshkruara.

Shkolla e Mesme Profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, dikur kishte mbi 1.000 nxënës, ndërsa me shuarjen e klasave të 13-ta, vitin që shkoi kjo shkollë ka pasur gjithsej 46 klasë me 840 nxënës. Në këtë shkollë janë aktualisht 7 drejtime me gjithsej 17 profile të ndryshme.

 

Leave A Reply