Ish-kolegë, miq e studentë të Universitetit të Evropës Juglindore-UEJL, në Tetovë, krenohen që kanë pasur në mesin e tyre një pedagog dhe një njeri si prof. Sami Ibrahimi. Me rastin e vdekjes së tij, në ambientet e këtij universiteti sot u mbajt mbledhje përkujtimore.
Në hapje të përkujtimit, këshilltari i Rektorit, Prof. Demush Bajrami, tha se ky moment i tubimit lidhet me kujtimin dhe nderimin ndaj një njeriu shumë të shtrenjtë, si familjarë, si mik dhe si kolegë… ‘Është fat i madh për ne që Prof. Sami Ibrahimin e patëm në mesin tonë, një figurë e rëndësishme që do të mbetet gjithnjë i gjallë në kujtimet tona për origjinalitetin dhe individualitetin e tij intelektual e krijues. I brumosur me idetë iluministe, profesor Samiu u shqua me angazhimin e tij të pakurrsyer në lëvizjen politike, kulturore e arsimore të kohës më të re”, tha Prof. Bajrami.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, tha se sot po kujtohet dhe nderohet personaliteti dhe veprimtaria e bujshme e figurës madhore poliedrike, të familjarit, mikut dhe kolegut të dashur, Prof. Dr. Sami Ibrahimit, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 75 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
‘Vdekja e e profesorit të respektuar, diplomatit dhe analistit, Sami Ibrahimi padyshim është një humbje e madhe jo vetëm për Universitetin e Evropës Juglindore, por edhe për mbarë komunitetin akademik në hapësirën shqiptare. Duke qenë një njeri me plot përkushtim si në planin arsimor-shkencor, ashtu edhe në atë shoqëror e politik, ngriti lart reputacionin e intelektualit tonë jo vetëm këtu te ne e në rajon, por edhe gjithandej në arenën ndërkombëtare. Ne, gjithnjë do ta kujtojmë për kontributin e tij shumë të madh në zhvillimin e Universitetit tonë. E kujtoj angazhimin e tij që prej idesë së themelimit të universitetit, ku këshillat e tij prej arsimdashësi ishin të rëndësishme për krijimin e këtij institucioni. Kur jemi tek kontributi i tij për universitetin tonë, më duhet të them se ai nuk ishte i vetëm. Krahas shumë intelektualëve e arsimdashësve, gjithnjë i kishte pranë edhe dy vajzat e tij, të lidhura me këtë projekt, Miranda – në OSBE, e cila ka ndenjur afër gjatë gjithë kohës me të ndjerin Max Van Der Stoel dhe Arta – e kyçur që në fillim në universitet. Me një fjalë, mund të them se ato nuk munguan për asnjë çast, duke qenë gjithnjë përkrah të atit të tyre në bërjen e historisë moderne të arsimit të lartë shqip tek ne. Të gjithë ata që e njohën Prof. Samiun, do ta mbajnë mend për origjinalitetin e tij prej njeriu të urtë e të qetë, një njeri i drejtë dhe i moderuar brenda komunitetit tonë akademik, i cili kishte një marrëdhënie shumë të mirë me kolegët dhe studentët. Largimi i tij është një hendek i madh për ne, qoftë për këshillat e tij për shumë çështje në lidhje me arsimin e lartë, qoftë për faktin e aktualitetit politik. Profesori ynë i nderuar dha një kontribut të shquar edhe për diplomacinë. Mungesa e analizës së tij do të ndihet shumë në mesin e ekspertëve të fushës, sepse ai ishte një nga ata që i njihte më së miri rrethenat e politikës së jashtme. Ai kishte energji të pakufishme, njohuri, përvojë, prandaj me intelektin dhe reputacionin e tij, ka qenë një frymëzim i vërtetë për gjeneratën e re të politikanëve shqiptarë. Ai ishte një bashkëpunëtor dhe një kolegë i palodhshëm me të cilin çdokush që e njihte kishte kënaqësi të bisedonte e të punonte. Unë si mik, ju si familjarë dhe të gjithë ne si kolegë, që tani po e ndjejmë një boshllëk të madh pas largimit të tij. Profesor Samiu pa dyshim ka qenë njeri shumë i dashur dhe i respektuar njëkohësisht. Të tillë e njohën edhe bashkëmoshatarët e tij. Samiu ishte i qetë, i kujdesshëm, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm. Prof. Samiu fliste rrjedhshëm dhe qartë për tundimin politik të profilit të politikanit ballkanik në shekullin 21 dhe për vështirësitë në zbatimin e parimeve dhe vlerave humane. Vepra e tij flet se prof. Samiu ishte një njeri që kishte atë për çfarë çdokush prej nesh ka nevojë, e kjo është ndjenja që në momente kyçe të njohim se çfarë është thelbësore dhe çfarë është e rëndësishme. Ai ishte një njeri i mirë me kolegët e tij dhe me njerëzit me të cilët punoi, prandaj ishte i rrethuar me shumë miq. Për të gjithë ne, kjo është një humbje e madhe e një njeriu, që ishte shembull i vlerave njerëzore. Ne, në mbamendjen tonë do ta ruajmë gjithnjë emrin dhe figurën emblematike të prof. Sami Ibrahimit, i cili na bën të ndjehemi krenar që e patëm në gjiun tonë. Ai do të mbetet i gjallë mes nesh, si një udhërrëfyes që nuk do të shuhet kurrë’, tha ndër tjerash, Prof. Dr. Zamik Dika.
Për personalitetin e prof. Samiut folën edhe prorektori, Prof. Dr. Andrew Goodspead, Prof. Demush Bajrami, si dhe u lexua edhe telegram ngushëllimi i kryetarit të Bordit të Universitetit, Prof.Dr. Dennis Varrington. Edhe shumë nga kolegët dhe studentët evokuan kujtimet e tyre për profesorin e ndjerë.
Sami Ibrahimi ishte anëtar i Bordit të Universitetit të Evropës Juglindore dhe profesor i shquar i gjuhës angleze, por edhe i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, si dhe në Fakultetin e Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, deputet në parlamentin republikan dhe ambasador në Danimarkë. Poashtu, është autor librash dhe punimesh të ndryshme shkencore. Prof. Samiu gjithashtu ka qenë edhe gazetar, publicist dhe përkthyes i shumë veprave dhe librave nga gjuha angleze.