Kryetari i komunës Sokol Haliti dhe kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, janë vlerësuar nga Zyra rajonale e OSBE-së në Gjilan për progres dhe të arritura në komunën e Vitisë.
Me një solemnitet rasti gjatë seancës së Kuvendit, atyre ju ndanë certifikatat nga drejtori i OSBE për rajonin e Gjilanit Ulrih Bifar.
“Jam i kënaqur me bashkëpunimin e Organizatës sonë me të gjithë zyrtarët komunalë të Vitisë. Në dy vitet e fundit është vërejtur një progres në shumë fusha dhe ky përkushtim dhe angazhim institucional është për respekt. Ekipi im që vepron në Viti, më raporton mua për aktivitetet dhe punën që bëjnë institucionet në komunën e Vitisë. Gjatë vlerësimit të arritjeve nëpër komuna së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, kemi parë se në Viti kanë lëvizur gjërat pozitivisht. Për këtë arritje është meritor edhe ky Kuvend, përpos udhëheqësve. Andaj OSBE do të ndajë certifikatën e vlerësimit për kryesuesin e kuvendit Naim Pira dhe kryetarin e komunës Sokol Haliti”, tha Bifar para këshilltarëve të Kuvendit komunalë në seancën e djeshme.
Për kryetarin e komunës Sokol Halitin, kjo certifikatë është e rëndësisë së veçantë, pasi vlerësohen dy nivelet, edhe kuvendi komunal edhe qeveria komunale. Ai ka falënderuar zyrën e OSBE-së në Viti dhe zyrën në Gjilan për bashkëpunimin tejet të ngushtë me komunën.