Sot janë mbushur 16 vite nga çlirimi i komunës së Vitisë. Aktivitetet pwr tw shwnuar kwtw ditw kanw filluar me seancën solemne të Kuvendit Komunal. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, tha se 14 qershori i vitit 1999 ishte dita kur qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm nga dhuna dhe agresioni pushtues serb, si dhe ishte dita kur qytetaret e Komunës sonë pas përpjekjeve gati shekullore e realizuan aspiratën e vet nacionale për liri e demokraci.
“Në këtë ditë të lavdishme, duke kujtuar të kaluarën dhe historinë, ne ia kujtojmë vetës obligimet që kemi ndaj të gjithë atyre që ranë, u sakrifikuan dhe kontribuuan për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, në këtë ditë të rëndësishme,ne duhet të jemi të vetëdijshëm se obligohemi para brezave të ardhshëm që të punojmë dhe ta ndërtojmë një vend prosperues, i cili do të jetë atdheu i sigurt i qytetarëve tanë. Populli i Kosovës dhe qytetarët tanë, për 10 vite me radhë, që kur pushteti serb uzurpoi, dëboi nga puna, persekutoi, vrau e u mundua të na gjunjëzoi, megjithatë ky popull tregoi se është i aftë të organizohet edhe në kushte robërie dhe duke krijuar një miqësi të fortë me miq e shtete qe vendosin për fatin e globit”, ka thënë Haliti.
Kreu i komunës, Sokol Haliti përmendi të gjithë sakrificën e shqiptarëve ndër breza për të arritur lirinë, prej demonstratave të vitit 1981, deri te lufta e UÇK-së dhe ndihma e NATO-s.
Pas seancën solemne, u bënë homazhe dhe u vunë kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve. 14 Qershori-Dita e Çlirimit të Vitisë u shënua edhe me aktivitete kulturore e sportive.